Izraeli shpall 'non grata' Sekretarin e Përgjithshëm të OKB

Izraeli ka vendosur së fundmi të shpallë person të padëshiruar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe t’i ndalojë atij hyrjen në vend.

Në reagimin zyrtar të autoriteteve izraelite për këtë vendim shkruhet se Guterres do të mbetet një “njollë” në historinë e Kombeve të Bashkuara.

“Sot unë e kam shpallur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së António Guterres si persona non grata në Izrael dhe i kam ndaluar hyrjen në vend. Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç e ka bërë pothuajse çdo vend në botë, nuk e meriton të shkelë në tokën izraelite.

Ky është një sekretar i përgjithshëm që ende nuk ka denoncuar masakrën dhe mizoritë seksuale të kryera nga vrasësit e Hamasit më 7 tetor, as nuk ka udhëhequr ndonjë përpjekje për t'i shpallur ata një organizatë terroriste.

Një sekretar i përgjithshëm që u jep mbështetje terroristëve, përdhunuesve dhe vrasësve nga Hamasi, Hezbollahu, Houthis dhe tani Irani, anija mëmë e terrorit global, do të mbahet mend si një njollë në historinë e OKB-së”, shkruhet në reagimin e ministrit të Jashtëm Katz.