Gjykata Kushtetuese refuzon komisionin ‘Xhafaj’, Zaçaj: Nuk marrim pjesë

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të jetë pjesë e Komisionit anti-korrupsion që drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj.

Në një përgjigje që Kushtetuesja i ka kthyer Kuvendit, kryetarja e kësaj Gjykate, Holta Zaçaj shprehet se nuk mund të marrim pjesë në Komision.

Reagimi i Kushtetuese ka ardhur pas ftesës që iu drejtua nga Komisioni institucioneve Kushtetuese në vend, përfshi edhe ato të drejtësisë, lidhur me ligjbërje, dhënie mendimi apo veprimtarinë e këtij komisioni ad-hoc.

“Të nderuar më përgjigje të shkresës Tuaj nr. 3016, datë 31.07.2024, me anë të së cilës kërkohet caktimi i përfaqësues/ekspert dhe profesionist nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, duke ju përgëzuar për nismën, ju bëjmë me dije se Gjykata Kushtetuese, për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.  

Komisioni anti-korrupsion u ngrit nga mazhoranca socialiste me një përbërje prej 11 anëtarësh, ku 5 vende i takojnë opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje.

Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i drejtoi kërkesa për bashkëpunim institucioneve publike të cilat ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion sipas vlerësimeve që bëhen në raportet e KE-së, thuajse të gjitha institucioneve për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit dhe grupit të ekspertëve që merret me çështjet e korrupsionit.