Konfliki në Lindjen e Mesme/ Gani: U njoftuam përmes mediave që të qëndronim brenda, nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte

Irani ka lëshuar qindra raketa drejt një pjese të territorit izraelit.

Ky është sulmi i dytë i Iranit këtë vit, pasi qëlloi qindra raketa dhe drone në Izrael në prill.

Zyrtarët ushtarakë kanë konfirmuar se gjatë sulmit janë regjistruar disa goditje. Një zëdhënës ushtarak tha se Izraeli regjistroi disa goditje në qendër dhe zona të tjera në jug të vendit.

Ndërkohë, IRGC pretendoi se 90% e predhave goditën objektivat e tyre. Burimet e IRGC-së i thanë medias shtetërore në Teheran se kishte shënjestruar tre baza ushtarake izraelite në sulm.

Jeta Gani, Shqiptare në Izrael, Shefe e Komisionit të fiskulturës në një lidhje ‘Skype’ për 'Kafe Shqeto' tregoi se populli kishte marrë një njoftim për një luftë të madhe e të tmerrshme përmes mediave dhe kishin ndenjur më shumë se një orë e gjysmë në ‘Dhomën e Sigurimit’.

“Irani dha ultimatum që do gjuante në të gjithë Izraelin e duhet të përgatiteshim, sepse këtë radhë ishte më ndryshe se herët e tjera, njoftimi ishte i të gjithë popullit, ata na thonin vazhdimisht se nuk duhet të dilnim jashtë”-u shpreh Gani.

Deklarata e saj:

"Ne kemi një vit që jemi në këtë luftë e natyrisht disiplina është shumë e lartë dhe ne jemi mësuar pas gjuajtjeve të miqve të Iranit dhe gjithmonë hyjmë në ato dhoma siç e shpjeguat ju e normalisht çdo njeri është i përgatitur se çfarë masash duhet të marri.

Natyrisht jeta vazhdon dhe sot njerëzit kanë dalë dhe çdo njeri e di se se duhet të veprojë normalisht, por me frikë e me tension.

Ne ishim të lajmëruar nga mediat të cilat thonin se pritej një sulm i Iranit, por se si do ishte ne nuk e dinim sepse ne kishim një sulm në prill, dhe ai ishte i tmerrshëm, por të paktën ai ishte në një zonë të caktuar e nuk arriti në të gjithë Izraelin, por kësaj radhe frika ishte më e madhe.

Irani këtë radhë dha ultimatum, që do gjuante në të gjithë Izraelin e duhet të përgatiteshim, sepse këtë radhë ishte më ndryshe se herët e tjera, njoftimi ishte i të gjithë popullit.

Ne morëm një njoftim për një luftë të madhe e të tmerrshme e nuk po dinim se çfarë po ndodhte dhe kemi ndejtur më shumë se një orë e gjysmë në ‘Dhomën e Sigurimit’ e vazhdimisht na thonin mos dilni, sepse normalisht ishim më të sigurt brenda, por nuk di se çfarë ndodhte atje jashtë".

Klea Sula/ Syri.Net