“Ka pësuar dëmtime në tru”, Atletico jep informacione për gjendjen e mbrojtësit

Mungesa e Robin Le Normand për ndeshjen kundër Benfica-s, të mërkurën, për Ligën e Kampionëve, në “Estádio da Luz”, shumë shpejt ngriti kambanat e alarmit tek Atletico e Madridit.

Në një deklaratë për mediet, klubi  madrilen njoftoi se qendërmbrojtësi spanjoll pësoi, në derbin me Realin, një dëmtim traumatik në tru, me hematomë subdurale (akumulim gjaku midis trurit dhe kafkës).

Në buletinin mjekësor, “Los Colchoneros” informojnë se do të “respektojnë masat e përfshira në protokollin e vendosur për këtë lloj traume”.

Lëndimi ndodhi pas një përplasjeje rrëqethëse kokë më kokë mes Le Normand, i cili në verë u bë kampion evropian me Spanjën, dhe francezit Aurélien Tchouaméni.