Ambasadat, hall demokracie apo Xhorxh Uashingtoni të stampuar!?

Nga Basir Çollaku/

Një urti turke thotë mes të tjerash se, “kur një gomar hyn në një pallat mbretëror, pallati bëhet stallë, jo gomari mbret”. Njëlloj Kuvendi është adresë pune të votuarish nga qytetarët e ligjvënësve, jo grumbull lëndësh drusore.

Turri nënshtrues i ambasadave në qortime të shpifura ndaj opozitës, sa herë flakët nxehin fundshpinën e Ramës dhe Veliajt në bashki është një shëmti për të mos u dëgjuar.

Sot, ambasadori i delegacionit të BE dhe Ambasada Amerikane, kishin ngjashëm të njëjtin tekst, hallin e 20 karrigeve të djegura. Ajo sallë quhet parlament sepse ka deputetë, përfaqësues të zgjedhur e jo sepse ka 140 karrige. Karrige kanë kinematë, sallat e hoteleve, apo lokalet e dasmave me shumicë. Sheqeri pikant diplomatik vazhdonte me mbrojtje të institucioneve, përkrahje dhe tallava gjuhësore, klishe më së shumti, nën petkun e interesave joshqiptare.

Nuk kanë hapur gojë ambasadat, kur lideri i opozitës është arrestuar me 500 faqe falsifikime e mashtrime qeveritare, sepse këtë vepër penale e gatuan prokuroria e gjykata e ndërtuar prej tyre, por të kontrolluar nga ushtari i mafias, kreu i qeverisë. Janë squkur edhe kur nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji është dënuar si në komunizëm me një dëshmitar të rremë. Pa asnjë provë, pa bërë kallëzim, thjesht se denoncoi Geron Agron Xhafën, vëllanë trafikant ndërkombëtar droge të dënuar, të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të cilin ambasadat qëlluan gjuhë-prerë.

Madje, heshtin edhe kur vëllai i tregtarit të drogës kryeson komisionin parlamentar për të futur duart sërish te reforma, në kahje të nënshtrimit e ndëshkimit të institucioneve të drejtësisë e hetimit. Nuk u merakosën se doganiere Elisa kërkon përjashtimin e 24 deputetëve opozitarë dhe ministri hoxhist në hetim për qokë bandash, bën gati dosje imagjinare brenda natës për deputetët opozitarë duke kanosur.

As nuk vënë re se, si emërohen e shkarkohen drejtorë policie, prokurorë e gjyqtarë të lidhur me bandat, me sms nga qeveria, ashtu siç akuzonte nga Zvicra edhe ish-zv kryeministri, Arben Ahmetaj. Ambasadat kanë dijeni të detajuar për ministra, zyrtarë, deputetë, politikanë e biznesmenë të përfshirë në aplikacionet sky-enchro në bisedat me krimin e organizuar. Kanë dijeni edhe për bëmat penale të Olsi Ramës në shumë dosje.

Ata i kanë në zyrat e tyre materialet e Francës-Belgjikës-Holandës, thuaj identike siç janë dërguar në SPAK për krimin elektoral, trafiqet e pastrimin e parave, nga dosjet e ardhura, por ende të pahetuara. Ndërkohë jemi gjashtë muaj larg zgjedhjeve parlamentare, me një pasiguri ekstreme të procesit zgjedhor nga ekipet elektorale të përbashkëta kriminale e të pushtetit. Asnjëri prej diplomatëve të dremitur, nuk pëshpëriti kur Rama lajthiste për një shtet parajsë fiskale e penale 15 hektarësh në Tiranë, për shtet edi-mondin. Ndoshta lobet kanë nëpër duar borderotë ku Rama derdh financimet dhe në këtë rast heshtja është me të vërtetë flori. Ambasadat, ku vitet e fundit Shjqipëria kryeson në aplikime diplomatësh për një vend pune në vendin tonë, kërkojnë stabilitet. Nuk duan kokëçarje, ndaj çuditshëm mbështesin pushtet të kapur thellësisht nga Mafia. Ata nuk kanë merakun e Demokracisë, askund e aspak. Kushdoqofshin diplomatët mbështetës të Edi Ramës dhe ministrave të tij të pandehur, nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë dhe institucionet e pavarura. Thjesht duan Xhorxh Uashingtonin e stampuar në një letër…!