Korenica e Rrahmani braktisin VV-në: Kauza jonë është familja

Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, për t'iu bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Rrahmani ka thënë të martën se është koha “për një angazhim politik më ndryshe”.

“Kauza për familje është kauzë mbipartiake. Pjesë e këtij projekti do të jenë personalitete që e kanë dëshmuar veten dhe kanë një storie suksesi në jetën e tyre”, ka thënë ai.

Rrahmani ka shtuar se në Kuvend kanë arritur t'i ndalin iniciativat të cilat sipas tij, e cenojnë familjen.

“Sot në këtë konferencë për media dua të shpreh mirënjohjen ndaj qytetarëve. Sot po bashkohemi në ‘Listën për Familjen dhe po bëhemi bashkë kundër Kodit Civil që cenon familjen. Përgjatë këtyre tri viteve kemi arritur të ndalim shumë iniciativa kundër familjes. Këto ligje kanë qenë të papranueshme dhe ndaj shteteve evropiane. Kauza do të jetë në mbrojtje të familjes dhe u bëjmë thirrje që të na bashkohen edhe personalitete tjera shkencore e që kanë storie suksesi në jetën e tyre. Sot ju bëjmë thirrje qytetarëve që të bëhemi bashkë në mbrojtje të familjes”, ka deklaruar ai.

Rrahmani ka potencuar tutje se është përgjegjësi për t’i prirë këtij koalicioni dhe se i kanë propozuar edhe kreut të Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli “që me kënaqësi e pranoi bashkimin me këtë kauzë”.

Përveç Projektkodit civil, Rrhamani e Korenica vazhdimisht kanë kundërshtuar disa prej ligjeve të cilat i ka përkrahur partia në pushtet, si Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor. 

Për këtë Projektligj Korenica kishte propozuar një amendamen i cili nuk është përkrahur nga shumica në Kuvend. Amendamenti i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, përcakton që e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit.