Opozita vazhdon zbatimin e skenarëve/ Bojkot Komisioneve Parlamentare, në Kuvend tension dhe kaos

Në shenjë proteste për burgosjen e Ervin Salianjt, opozita ka përshkallëzuar aksionin e saj. Një ditë pas tensioneve dhe kaosit në Kuvend, sot ata  kanë bojkotuar Komisionet Parlamentare.

Sot u zhvillua mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme, ku raportoi zv.ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ilva Gjuzi, por siç duket nga pamjet, karriget e deputetëve të opozitës janë bosh.

Ndërkohë ditën e djeshme deputetët e opozitës paralajmëruan se çdo të hënë dhe të enjte nuk do të lejojnë zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Po ashtu në datën 7 tetor në orën 18:00 opozita ka njoftuar një protestë kombëtare, e cila do të nisë në Kryeministri dhe më pas do të shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës.