Sekuestrohen 750 mijë euro pasuri të punonjëses së shërbimeve qeveritare

Policia e Tiranës ka konfirmuar sot se është ekzekutuar vendimi për të sekuestruar pasuritë në emër të Irma Hasanit, e cila punonte pranë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Bëhet fjalë për pasuri në vlerën 750 mijë euro.

Pasuritë dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal i vëllait të saj, Oltion Hasani, i dënuar në Angli.

Edhe pse me një pagë prej 61.000 lekësh në muaj, Irma Hasani kryente veprime me shuma të mëdha parash.

Kjo gjë ka rënë në sytë e autoriteteve, të cilat pas hetimit, kanë vendosur sekuestrimin e pasurisë së saj.

NJOFTIMI ZYRTAR

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Immediate".

Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.

Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar "Immediate". 

Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Materialet i kaluan Prokurorisë.