Si po vidhen fondet e Rindërtimit/ 78 raste abuzimi vetëm në Rrogozhinë

Prokuroria e Durrësit ka zbuluar 78 raste abuzimesh të dyshuara me fondet e Rindërtimit në bashkinë e Rrogozhinës me një vlerë të llogaritur në 353 milionë lekë, me destinacion të ndryshëm, përfshi edhe kasolle lopësh dhe derrash.

BIRN

Pesë punonjës të Bashkisë së Rrogozhinës akuzohen nga Prokuroria e Durrësit se në të paktën 78 raste kanë abuzuar me fondet e Rindërtimit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 353.4 milionë lekëve. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit, pesë punonjësit e kësaj bashkie akuzohen për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, “falsifikimi” dhe “mashtrimi”.

“Nga hetimi rezulton se banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim, por në dosjet e tyre janë shënuar objekte të tjera, përfshi dhe kasolle të derrave e lopëve,” citohet në njoftim dhe shtohet se krahas punonjësve të bashkisë, janë nën hetim edhe 78 personat të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, ka pranuar kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj pesë nëpunësve të hetuar.

Pas tërmetit të vitit 2019, mijëra familje mbetën të pastreha. Megjithëse qeveria ndërmori procedura emergjente të prokurorit, duket se ato nuk dhanë shumë ndihmë. Sipas të dhënave të buxhetit të vitit 2023, deri në muajin tetor ishin shpenzuar vetëm 32% e fondeve të programuara. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit njoftoi se ka zbuluar një skemë të vjedhjes së këtyre fondeve.