Erdogan: Nëse Izraeli s’ndalet, OKB-ja duhet të rekomandojë përdorimin e forcës

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të rekomandojë përdorimin e forcës, në përputhje me një rezolutë të miratuar në vitin 1950, nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arrin të ndalojë sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban.

“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të zbatojë me shpejtësi autoritetin për të rekomanduar përdorimin e forcës, siç bëri me rezolutën e vitit 1950 Bashkimi për Paqe, nëse Këshilli i Sigurimit nuk mund të tregojë vullnetin e nevojshëm”, tha Erdogan pas një takimi të kabinetit në Ankara.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve muslimane që të ndërmarrin hapa ekonomikë, diplomatikë dhe politikë kundër Izraelit për t’i bërë presion atij që të pranojë një armëpushim dhe shtoi se sulmet e Izraelit do t’i shënjestrojnë edhe ata nëse nuk ndalet së shpejti.