‘Nuk ekziston si koncept kallëzimi publik’/ Ish-prokurori ‘demaskon’ burgosjen e Salianjit, avokati: S’ka vajtur në prokurori

Dënimi me burg i deputetit të PD-së, Ervin Salianji me akuzën për kallëzim të rremë ka krijuar reagim të ashpër për profesionistët e ligjit.

I ftuar në ‘Të Paekspozuarit’, Ledio Braho, avokat i Salianjit, deklaroi se deputeti nuk ka depozituar asnjë kallëzim, sepse as nuk ka vajtur në prokurori dhe nuk ka firmosur kallëzim.

Ndërsa ish-prokurori dhe aktualisht avokati Eugen Beçi, deklaroi se kallëzimi publik nuk njihet as në teori dhe as në praktikë sipas Kodit të Procedurës Penale.

Pjesë nga biseda

Ledio Braho: Salianji nuk ka depozituar asnjë kallëzim. Ka vetëm një mënyrë për depozitimin e kallëzimit, vajtja në prokurori dhe firmosja e një kallëzimi. Meqenëse mungon ky element në vendim gjen terma si “kallëzim publik” ose “kallëzim publik i rremë”.

Kallëzimi publik është një tentativë e sforcuar, vetëm në këtë vendim e kam lexuar këtë.

Kur cenon interesat e dikujt dhe bën denoncim, mund të nisë prokuroria hetim.

Eugen Beçi: Nuk ekziston ky koncept. As në teori dhe as në praktikë nuk njihet kallëzimi publik sipas Kodit të Procedurës Penale. Më e afërta, është lidhja shkak pasojë që mund të ndodhë nëse prokuroria nis procedim kryesisht në bazë të deklarimeve që mnd të jenë bërë në media.

Këtu mund të themi se prokuroria ka shfrytëzuar deklaratën dhe ka nisur hetim kryesisht.

Pastaj si mund të kryhet kallëzimi i rremë, janë element të lidhura me organet e ligjzbatimit, nuk janë të lidhura me mediat.

Nuk mundet që një qytetar që nuk ka formalizuar një kallëzim, një mënyrë të të treguarit të provës, nuk mund të jetë subjekt i kësaj vepre penale.

Ledio Braho: Edhe po të bësh kallëzim me shkrim, nëse nuk ke dijeninë paraprake që po bën kallëzim të rremë, nuk ekziston ana subjektive, dashja direkte. Në këtë proces gjyqësor nuk është provuar asnjëherë dijenia e Salianjit me faktin ishte apo jo Agron Xhafaj.