Berisha: Deputetët e PD i dhanë sot përgjigjen e merituar Edi Ramës, nisën betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës

Lideri i opozitës, Sali Berisha e ka quajtur protestën e sotme të deputetëve të PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, si përgjigjen e merituar ndaj Edi Ramës.

‘Deputetët e PD i dhanë sot përgjigjen e merituar Edi Ramës, nisën betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Luftëtarëve të paepur kundër mafias më të rrezikshme të kontinentit Europian dhe mafias ndërkombëtare.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme që me guxim shpërndajnë të vërteta në të 4 anët e vendit.

Një përshëndetje të zjarrtë deputetëve të Partisë Demokratike, që nisën sot në sallën e parlamentit të mafias dhe krimit, betejën e fitores, betejën e pandalshme, që i dha përgjigjen më të merituar Edi Ramës, këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Europës, që burgosi deputetin Ervin Salianji, sepse ai denoncoi Geronin e vëllazërisë Xhafa, që fshihej dhe si kriminel, shpërndante drogë, helm në Shqipëri, në Itali dhe Europë.

Të dashur miq!

Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj.

Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës.

Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona.