SYRI TV/ Ilir Proda drejtori i ri i Policisë së Shtetit, u rëndit i pari nga Komisioni Vlerësimit

Ilir Proda do të jetë Drejtori i ri i Policisë së Shtetit për 5 vitet e ardhshme. Është ky emri që ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i ka dërguar Këshillit të Ministrave për miratim. Proda është emri midis 11 emrave që u kualifikuan në fazën finale të garës për drejtorin e ri, të cilin Ministri i Brendshëm e ka përzgjedhur. Më herët 4 emra të tjerë u përjashtuan.

Në njoftimin për mediat, Ministria e Brendshme ka publikuar dhe 5 emrat që Komisioni i Vlerësimit i ka paraqitur ministrit si më të vlerësuarit. Ata janë Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita. Nuk dihet nëse Proda ka qenë më i vlerësuari apo ministri e ka zgjedhur si preferencë të tij.

Ilir Proda deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit të Qarkut të Elbasanit. Ai e ka nisur karrierën në strukturat e uniformave blu në vitin 2005 menjëherë pasi ka mbyllur studimet në Akademinë e Policisë. Proda ka filluar punë për herë të parë në Komisariatin numër 3 në Tiranë. Ngritja e karrierës së tij ka filluar në vitin 2013, kur u emërua shef i komisariatit numër 2, më pas shef komisariati në Bulqizë, zëvendësdrejtor qarku në Korçë dhe së fundimi Drejtor Qarku në Elbasan.    

Para disa javësh Ilir Prodës, SPAK i sekuestroi telefonin nën dyshimin për dekonspirim të operacionit në lidhje me grupin Çopja. Operacioni u zhvillua në Elbasan dhe urdhër arrestet bashkë me agjentët e BKH-së i kishin shkuar dhe drejtorisë së këtij qarku.

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit u zgjodh pas ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Ligji që u miratua në korrik dhe hyri në fuqi në 7 shtator parashikon që zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të bëhet nëpërmjet një konkursi, ndryshe nga ligji i mëparshëm ku propozimi emrit ishte ekskluzivitet direkt i ministrit të Brendshëm.