Sula: Cilësia e rrënuar e arsimit, shkak për braktisjen e vendit

 Partia Demokratike reagoi sot mbi gjendjen e sistemit arsimor në vend, ndërsa vlerësoi se “organizimi dhe administrimi i shërbimit arsimor është në situatë kaotike”.

Përmes një deklarate për shtyp, drejtuesja e departamentit të arsimit në PD, Lili Sula u shpreh se “të ashtuquajturat reforma të rilindjes përgjatë këtyre 12 viteve, patën pasojë agoninë e plotë të arsimit”.

Sipas Sulës, arritjet shkollore të nxënësve të të gjitha cikleve të edukimit të sistemit parauniversitar, janë tronditëse, e treguar kjo nga sa e sa raporte të organizatave dhe institucioneve vendase dhe sidomos ndërkombëtare.

“Cilësia e rrënuar e arsimit, paraqitet sot si një ndër shkaktarët e braktisjes së vendit nga fëmijët dhe të rinjtë. Çorganizimi strukturor i sistemit; niveli i korrupsionit; dhunimi i parimeve të barazisë dhe meritës në rekrutimin e administratës së sistemit arsimor dhe veçanërisht politizimi e militantizmi i saj, dëshmohen sot në nivelet më flagrante dhe njëherazi më qesharake”, shtoi ajo.

Sula siguroi se me ardhjen në pushtet, Partia Demokratike do t’i rikthejë institucionet e arsimit në shërbim të tyre dhe në shërbim të interesit publik.

DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Partia Demokratike ka paraqitur dhe denoncuar vazhdimisht papërgjeshmërinë, shkeljet ligjore dhe korrupsionin masiv të Qeverisë Rama në sistemin arsimor.
Të ashtuquajturat Reforma të Rilindjes për gjatë këtyre 12 viteve, patën pasojë agoninë e plotë të Arsimit.
Organizimi dhe administrimi i shërbimit arsimor, është sot në situatë kaotike!
Dëgjoni “shpikjen” e Rilindjes dhe gjykoni ç‘ndodh me arsimin!!??

Shërbimi arsimor i Tiranës, i kryeqytetit të shqiptarëve, e ka varësinë adminiatrativo-juridike në Durrës!
Shërbimi arsimor i Vlorës, Sarandës, i Gjirokastrës etj. e ka varësinë adminiatrativo-juridike në Fier!
Shërbimi arsimor i Dibrës, e ka varësinë administrativo-juridike në Durrës!
Shërbimi arsimor i Elbasanit, (të Normales) dhe arsimi i Beratit e kanë varësinë adminiatrativo-juridike në Korçë!
Shërbimi arsimor i Shkodrës, i Kukësit e ka varësinë adminiatrativo-juridike në Lezhë!
Çfarë komenti e analize mund t’i bësh kësaj strukture organizative, krejtësisht në kundërshtim me çdo parim të menaxhimit!

Arritjet shkollore të nxënësve të të gjitha cikleve të edukimit të sistemit parauniversitar, janë tronditëse, e treguar kjo nga sa e sa raporte të organizatave dhe institucioneve vendase dhe sidomos ndërkombëtare.

Cilësia e rrënuar e arsimit, paraqitet sot si një ndër shkaktarët e braktisjes së vendit nga fëmijët, dhe të rinjtë.

Çorganizimi strukturor i sistemit; Niveli i korrupsionit; Dhunimi i parimeve të barazisë dhe meritës në rekrutimin e administratës së sistemit arsimor dhe veçanërisht politizimi e militantizmi i saj, dëshmohen sot në nivelet më flagrante dhe njëherazi më qesharake!!

Sot, për të dëshmuar politizimin, militantizmin, klientelizimin, e MADJE dhe ndonjë ves tjetër të kësaj administrate, ju sjellim rastin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, i njohur si QSHA!- institucion i një rëndësie të veçantë për vlerësimin, menaxhimin dhe administrimin efikas të sistemit arsimor.

QSHA u formua si institucion në vitin 2010 nga qeveria e Partisë Demokratike, duke u mbështetur në modelet më të mira të institucioneve të pavarura dhe me profil të lartë të ekspertizës në fushën e vlerësimit të jashtëm të arritjeve shkollore.

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) ka për detyrë:

-Vlerësimet Kombëtare të arritjeve shkollore, ku më të rëndësishmet janë Provimet e Maturës Shtetërore dhe Provimet e Lirimit.

-Organizimin e Provimeve të Shtetit për 12 profesione të rregulluara, e 10-tra nënspecialitete, si ato të Mjekut, Mësuesit, Stomatologut, Infermierit, Farmacistit, Psikologut, Sociologut, Inxhinierit.. etj.

Ç’po ndodh sot me Qendrën e Shërbimeve Arsimore e veçanërisht me burimet njerëzore?!

Në nëntor të 2021, z. Rama, pa asnjë bazë ligjore dhe aq më pak profesionale, emëroi në krye të Qendrës së Shërbimeve Arsimore znj. Aurora Balliu, pa asnjë eksperiencë dhe pa asnjë kualifikim për proceset teknike të këtij institucioni!

Se kujt ia ka plotësuar “dëshirën” z. Rama me këtë emërim shumë të rëndësishëm, le t’ia shpjegojë vetë shqiptarëve!

Kjo zonjë, e kompleksuar nga anonimati i saj profesional dhe për të shfaqur militanten e devotshme, me një arrogancë tipike të Rilindjes, shkarkon, liron nga detyra dhe shtrëngon të lënë vendin e punës plot 37 punonjës, nga 43 punonjës gjithsej që ka ky institucion! Pra, shkarkon afro 80% të stafit të QSHA! Punonjësit e shkarkuar nga znj. Balliu, dalloheshin për formimin, kualifikimin, specializimin, si dhe për përvojën prej 5, 10 dhe mbi 10 vjeçare në këtë institucion.

Punonjësit e emëruar nga znj. Balliu, ashtu si vetë ajo, nuk kanë as formimin dhe as kualifikimin e nevojshëm për proceset dhe funksionet e kësaj Qendre. Madje, në jo pak raste, të emëruarit nuk kanë asnjë lidhje me arsimin!

Znj. Balliu ka detyrimin të bëjë transparente emërimet e saj dhe publiku të bëjë krahasimet dhe vlerësimet.

Qendra e Shërbimeve Arsimore nga një institucion ekspertize dhe në interes të publikut, është kthyer në një celulë të Rilindjes, që nuk i shërben më arsimit të shqiptarëve, por militantëve, patronazhistëve dhe për të bërë “ndere” e qoka, si ndaj zyrtarëve të ministrisë, ashtu dhe ndaj individëve dhe grupeve të malavitës.

Partia Demokratike, e vetëdijshme për rrënimin e institucioneve dhe administratës së sistemit arsimor parauniversitar, garanton dhe siguron çdo mësues, specialist arsimi, prind edhe nxënës, që me ardhjen në pushtet të saj, do ti rikthejë institucionet e arsimit në shërbim të tyre dhe në shërbim të interesit e dobisë publike!