Berisha thirrje shqiptarëve të Miçiganit: Votoni Nik Gjonajn dhe kandidatin e Partisë Republikane për president

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fund të fjalës së tij në bashkëbisedimin me shqiptarët e Miçiganit në SHBA, u ka bërë thirrje që të mbështesin kandidatin shqiptar Nik Gjonaj, i cili kandidon për kryetar të Oakland Countri.

Berisha gjithashtu bëri thirrje që shqiptarët të votojnë kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump për President në SHBA.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Dy ditë më parë, një bashkëmoshatar i Belind Këlliçit, deputet, u burgos.

Pse u burgos? Ervin Salianji u burgos vetëm se Fatmir Xhafaj dhe vëllazëria Xhafaj është një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës dhe krimit në Shqipëri. Një vëlla i Fatmir Xhafës, i quajtur Geron Xhafa, ishte dënuar në Itali me vite të tëra, por bridhte mirë e bukur dhe nga Vlora drejtonte trafikun ndërkombëtar.

Një gazetar guximtar konstatoi se ai transportonte tonelata drogë nga Vlora drejt Italisë, në mbrojtje të plotë të vëllait të vet, ministër i Brendshëm.

A mund të imagjinoni ju?

Ervin Salianji publikoi regjistrimin. Trafikanti u transferua në Itali, në burg, i vëllai dhe dorëheqjen, por para se të jepte dorëheqjen, me dëshmitar të rremë të vërtetuar në mënyrë absolute, thanë se zëri nuk ishte i vëllait të ministrit dhe trafikanti e paditi deputetin tonë dhe pas 6 vitesh, Edi Rama me urdhër e nis 2 ditë më parë në burg, njeriun që i bëri shërbimin më të madh shqiptarëve, duke denoncuar një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës.

Ua dhashë këtë shembull se shembull të pafund mund të ju jap, për të kuptuar se sa jetik është roli i secilit prej jush dhe mbarë diasporës në përpjekjen e shqiptarëve kundër kësa diktature, në vendin ku ju jeni.

Të dashur miq!

Unë u zgjata, pak më shumë në këtë ekspoze dhe ju them se, situata është e vështirë, por u them gjithashtu se ne absolutisht ne nuk dorëzohemi por do të bëjmë gjithçka për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje.

Me këtë rast u ftoj dhe njëherë, një mobilizim maksimal për të votuar në vitin 2025 për Shqipërinë, por para se të votojmë për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, ftoj ju, ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të votojnë për Nik Gjonajn, kryetarin e ardhshëm të Oakland Countri.

Si një përfaqësues dinjitoz që bën krenar çdo shqiptar.

Miqtë e mi, ne jemi parti simotër e Partisë Republikane. Sigurisht unë nuk ndërhy në zgjedhjet presidenciale në SHBA, por çfarë është anëtar i PD-së, dhe mbështetës i saj, e ftoj  që me votën e tij të mbështesë partinë simotër republikane dhe kandidatin e saj.

Shumë faleminderit për vëmendjen që më kushtuat!