Berisha i bën thirrje diasporës: Vota juaj është një potencial shumë i madh për të shpëtuar vendin nga diktatura

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me demokratët e Miçiganit, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, vota e shqiptarëve të diasporës është një potencial shumë i madh për të shpëtuar vendin nga diktatura.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:  

U ndala në këtë histori për të treguar se si u ndihmua instalimi i mobokracisë në Shqipëri.

Mirëpo, në çdo rrethanë, njeriu kurrë në qoftë se beson një kauzë të drejtë, nuk duhet ët dorëzohet.

Dhe ne u garantoj ju, nuk dorëzohemi, por ne do bëjmë një betejë me të gjithë forcën tonë që Shqipërinë ta kthejmë përsëri në rrugën e Zotit, në rrugën e shpresës, në rrugën e zhvillimit.

Në këtë kontekst, sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj.

Kjo është diktaturë jo e lehtë. Unë u dhashë vetëm një shembull, por mund t’u jap shumë të tjera.

Dhe unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë.

Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja.

Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit.

Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë.

Por, kjo arritje, të dashur miq, është një potencial shumë i madh i juaji për të kontribuar në shpëtimin e vendit nga kjo diktaturë me votën tuaj.

Ndaj dhe ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme.

Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj.