Berisha: Rama ka krijuar një mobokraci, forma më e keqe e diktaturës. Kjo monokraci ka mbështetje jo të vogël ndërkombëtare

Në fjalën e mbajtur gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët e Miçiganit në SHBA, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se, Edi Rama në Shqipëri ka krijuar diktaturën e krimit, ose që njihet me emrin, mobokraci.

Sipas kreut të PD, kjo lloj diktature është më e keqja ndër të gjitha llojet e diktaturave. Ai tha se, ky regjim në Shqipëri, ka edhe një mbështetje ndërkombëtare.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:  

Të dashur miq, ne bisedojmë sonte në një situatë shumë të veçantë.

Në një situatë kur në Shqipëri është vendosur ajo që Samuel Hantington e ka quajtur formën më të keqe të të gjitha diktaturave, mobokracia.

Kur 20 vite më parë lexoja Hantingtonin, një studiues i madh, por u befasova me vlerësimin e tij.

Ai e quante mobokracinë një dikaturë më të keqe se nazistën, se komunisten, se teokratiken.

Në Shqipëri u instalua mobokracia nga Edi Rama për dy arsye.

E para, ai ka një trashëgimi të bllokut komunist, me të cilin frika e qytetarëve përbën mjetin kryesor të sundimit.

Së dyti, ai kanabizoi Shqipërinë me një politikë zyrtare pothuajse, Edi Rama mbolli nga thellësitë e Alpeve të veriut në kufi me Plavën, gjer në Pogon me mijëra e mijëra plantacione kanabisi.

Dhe në këtë mënyrë, ai ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Por, kjo për qytetarët është diktaturë e krimit, drogës, e cila vendos në kutitë e votimit, vendos në parlament, vendos në qeveri, vendos në rrugë, vendos në pritë, vendos kudo.

Edi Rama hapi apo vendosi vendin tërësisht në sundimin e bandave më të rrezikshme.

Unë dua t’u jap shkurtimisht dy-tre të dhëna.

Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe.

Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit.

Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite.

Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve.

Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet.

Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti.

Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë.

Shumë herë kam pyetur veten pse Hantington shkruan se mobokracitë janë forma më e egër? Ai thotë se ato nuk ndjekin asnjë rregull.

Por unë konsideroj mjerisht se ata kanë mbështetje jo të vogël ndërkombëtare.

Kanë mbështetje që e tejkalon imagjinatën tonë.

Ajo që keni dëgjuar me McGonigalin, ajo u garantoj ju se është maja e ajsbergut e fuqisë korruptive të narkoshtetit shqiptar.