4-milionë euro tender për godinë të re/ Dumanit i dështon tenderi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi anullimin e tenderit 4 milionë euro për ndërtimin e godinës së re. Sipas dokumentave të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, SPAK thotë se arsyeja e anullimit ishte për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë.

Tenderi për ndërtimin e godinës së re të SPAK u shpall në muajin gusht. Fondi limit ishte paracaktuar 395.3 milionë lekë ose gati 4 milionë euro. Kjo ndërtesë gjendet në krah të godinës ekzistuese të SPAK. Më parë ajo ka qenë në pronësinë e Bashkisë së Tiranës pasi ishte parashikuar të shërbente për zyrat qëndrore të Ujësjellësit. Por më pas, qeveria ja kaloi atë Prokurorisë së Posaçme për të ndërtuar ambientet e reja. Për këtë arsye, Erion Veliaj deklaroi publikisht pas thirrjes në SPAK se Bashkia ka marrëdhënie shumë të mira me kolegët e SPAK për shkak se u kishte dhënë ambientet.

Megjithatë përpjekja e parë e SPAK për të tënderuar rikonstruksionin e godinës dhe përshtatjen e saj në ambiente për zyra ka dështuar pasi asnjë kompani nuk ka paraqitur ofertë. Ky nuk është tenderi i vetëm i SPAK që dështon. Në të kaluarën SPAK ka anulluar edhe shumë tendera të tjerë, gjithmonë me argumentin e mosparaqitjes së ofertave. Me sa duket paratë e Dumanit nuk i do askush, ose kompanitë shqiptare nuk kanë shumë qejf të bëjnë biznes me SPAK.

Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të marrë masat e nevojshme për rihedhjen e procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim dhe rikonstruksion për godinën e re të SPAK”./kapitali