Rusia e kërkon si drejtues organizate kriminale, avokatët e Kukunov thirrje Ministrit të Drejtësisë: Mos lejo ekstradimin…

Avokatët Ardian Visha dhe Isuf Shehu i kanë drejtuar një thirrje qeverisë dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja që të mos lejojnë ekstradimin në Rusi të shtetasit rus Igor Kukunov.

Shkallët e gjyqësorit në Shqipëri kanë vendosur ekstradimin e 60-vjeçarit, ndërsa firma e fundit i takon ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Igor Kokunov akuzohet në Rusi për veprën penale “zënia e pozitës së larte në hirarkinë kriminale”.

Sipas avokatëve, kërkimi i Kokunov është firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë, i cili është shpallur non grata nga organizatat ndërkombëtare ku bën pjeseë dhe Shqipëria.

Kukunov u arrestua në korrik të viti të kaluar në pikën doganore të Muriqanit, pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Rusia. Sipas dosjes së prokurorisë ruse, Kukunov akuzohet për një sërë veprash penale dhe dyshohet se është drejtues i një grupi kriminal.

Pas arrestimit në Shqipëri, Kukunov kërkoi nga shteti shqiptar të mos ekstradohet drejt Rusisë.

Në dokumentet e Gjykatës së Moskës, 60-vjeçari është dënuar me 15 vite burg për drejtimin e një organizate kriminale nga viti 1993 deri në vitin 2019.