Vajza e Michael Schumacher lidh kurorë, 'sekuestrohen' celularët gjatë ceremonisë

Gina Schumacher, vajza e madhe e legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher, u martua këtë fundjavë në Mallorca.

Ceremonia e lidhjes së kurorës me bashkëshortin e saj, Iain Bethke, u zhvillua të shtunën e kaluar, në vilën e familjes, në Spanjë.

27-vjeçarja ka kujtuar të atin dhe situatën e tij delikate në këtë ditë të veçantë për të. Në kërkim të ruajtjes së privatësisë së gjendjes shëndetësore të shtatë herë kampionit të botës, gjatë ceremonisë nuk u lejua mbajtja e celularëve.

Në fund të vitit 2013, legjenda e Formulës 1 pësoi një aksident tragjik teksa bënte ski. Që nga ai moment, e gjithë familja ka punuar për të ruajtur informacionet rreth gjendjes së ish-pilotit.

Bashkëshortja e tij, Corinna, është përpjekur ta garantojë në çdo moment privatësinë dhe tashmë është vajza e tij ajo që po bën pjesën e saj.

Përgjatë më shumë se dhjetë viteve, familja ka pësuar shumë tentativa shantazhi nga njerëz të afërt që përpiqeshin të zbulonin informacione.

Familja gjermane ka shmangur çdo lloj imazhi që nuk ka dashur të shohë dritën e diellit dhe çdo shantazh nga dikush i afërt që mund t'i tradhtojë.