VIDEO/ U denoncua nga ‘Piranjat’, arrestohet Elton Sina, abuzoi seksualisht me vajzën e mitur të kushërirës

I denoncuar nga ‘Piranjat’ pak ditë më parë në SYRI TV, Policia e Kavajës ka vënë në pranga Elton Sinën, i akuzuar për abuzim seksual me një vajzë të mitur, të kushërirës së bashkëshortes.

Policia bën të ditur se, Sina i akuzuar për abuzim seksual me një të mitur është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit.

33-vjeçari u kap në aeroportin e Rinasit, teksa po futej në Shqipëri.

Elton Sina, banues në Çermë, Lushnjë, ishte shpallur në kërkim në vitin 2023, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Në muajin gusht 2023, dyshohet se shtetasi Sina ka abuzuar seksualisht me një shtetase të mitur, rast i cili është transmetuar në emisionin “Piranjat”, më datë 13 shtator 2024.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Në emisionin e datës 13 Shtator, emisioni “Piranjat” trajtuan çështjen e një vajze vetëm 12 vjeçe, e cila një vit më parë, kohë kur ishte vetëm 11 vjeçe u abuzua seksualisht nga bashkëshorti i kushërirës së saj 35 vjeçar, baba i një fëmije.

E mitura tregon se në muajin Gusht të vitit 2023, gjatë pushimeve verore  kishte shkuar tek halla e saj në fshatin Golem të qytetit të Kavajës për të qëndruar disa ditë me fëmijët e vegjël të familjes dhe me kushurirat e sajë, konkretisht bashkëshorten e 35 vjeçarit Elton Sina.

Kohë më parë 35 vjeçari kishte komunikuar me vajzën në instagramin e saj, teksa i dregonte të miturës simpatinë që ai kishte për të, të akumuluar prej vitesh, duke i thënë  konkretisht që kur  ishte e vogël ai e mbante në prehër dhe shfrynte epshet e tij, e ndërkohë të afërmit mendonin se Eltoni kujdesej shumë për të voglën.

E mitura tregon për Piranjat se abuzimi ka ndodhur në një moment kur ajo ka qenë vetëm në dhomën e gjumit, teksa kujdesej për të vegjlit e familjes.

Në fakt e gjithë situata kishte ardhur gradualisht pasi për tre ditë qëndrimi 35 vjeçari e kishte ngacmuar disa herë, madje dhe në prezencë të familjarëve të tjerë teksa e mitura flinte. Familjarët e vajzës së mitur tregojnë që sapo janë vënë në dijeni të situatës babai ka marrë më telefon dhëndrin e familjes,  35 vjeçarin abuzues. Si kundërpërgjigje abuzuesi i dërgon një sms teksa i kërkon falje për të gjitha gjestet që kishte kryer, duke pranuar në një farë mënyre gjithka kishte kryer me vajzën e mitur.

Babai i të miturës tregon që i është drejtuar menjëherë policisë italiane për të bërë një kallëzim, por si përgjigje i është thënë se kallëzimi duhet të kryhet edhe në Shqipëri pasi ngjarja ka ndodhur atje.

Familjarët e të miturës, kthehen në Shqipëri dhe i drejtohen komisariatit të Kavajës ku kryejnë kallëzimin, OPGJ i komisariatit pasi ka marrë kallëzimin ka thënë se për ekspertizën mjekoligjore të vajzës dhe procedura të tjera do telefonoheshin shumë shpejt nga vetë ai për ta sjellë vajzën në Shqipëri.

Por nga muaji Tetor i vitit 2023 familja e të miturës nuk kanë marrë asnjë fletëthirrje dhe për më tepër asnjë telefonatë.

Në kohën kur procedurat gjyqësore kishin nisur në Itali, familjes i mbërrinë një vendim nga gjykata e qytetit Bolognia që çështja është mbyllur për arsye se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri, pavarësisht që e mitura dhe abuzuesi janë të dy persona me nënshtetësi Italiane.

Po policia e Kavajës?

Nëna e të miturës, babai, dhe motra e të miturës tregojnë që nuk kanë marrë asnjë reagim dhe asnjë përgjigje nga drejtësia shqiptare pavarësisht që i është vënë në dispozicion çdo foto e bisedës mes 35 vjeçarit dhe të miturës, teksa ai i shkruante se do shkonte ta takon dhe në momentin e takimin vajza duhej të vishte të brendshmet që i pëlqenin atij.