'I paguajnë shëtitjen turistike dhe thonë Rama është lideri më i madh’/ Paloka-ambasadorëve: Të paguar nga Rama e Soros!

Edi Paloka në cilësinë e Kreut të Këshillit Kombëtar të PD, tha se partia në të cilën aderon në asnjë moment nuk ka hequr dorë nga proceset integruese të vendit, por se ka ndodhur e kundërta, i ka mbështetur ato.

Nga selia e Kryesisë së Kuvendit, i pyetur në lidhje me qëndrimet e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë për propozimet e PD për proceset integruese të Shqipërisë, Paloka tha se askush nuk mund të mbyllë sytë përpara asaj se çfarë po ndodh, lidhjeve të krimit me politikën apo dhe korrupsionin në vend.

Sipas Palokës, qëndrimet e PD janë të qarta, ndërsa kushdo që është kundër tyre, atëherë tregon se është palë me narko-qeverinë.

Akuzat nuk i kurseu ndaj atyre ambasadorëve që sipas tij thurin lavde ndaj kryeministrit Rama, ndërsa ky i fundit së bashku me Soros u ka mbushur xhepat me para.

Mbështesim në parim integrimin, s’votuam në komision, sepse në kushtet ku jemi, që vendi s’plotëson asnjë nga kushtet, s’mund të bëjmë të paditurin se i intereson Ramës apo të tjerëve. E kemi vërtetuar në vite se kush jemi ne dhe ata, s’më intereson se çfarë do të na vënë mbi shpinë nëse se votojmë. S’mund të mbyllim sytë ne dhe kushdo para asaj që po ndodh në Shqipëri.

Inceneratorët, PPP dhe Porti i Durrësit, drejtësia ka mbyllur sytë.

Ne kemi qëndrimet tona, nëse ndërkombëtarët janë kundër luftës që ne propozojmë të lidhjes së krimit me politikën dhe korrupsionin, nëse janë dakort që në një proces zgjedhor me dosje të sajuara dhe fallco të mbahen nën arrest lideri i opozitës, Sali Berisha, atëherë s'jemi në të njëtën qëndrim. S’besoj të jenë në të njëjtin qëndrim ndërkombëtarët, apo ka dhe nga ata ndërkombëtarë të paguar nga Rama dhe Soros. Reagimin ndërkombëtar kërkojeni tek institucionet dhe jo ambasadorët. Ata e japin vlerësimin për regjimin dhe parlamentin e shtetit. I paguajnë shëtitjen turistike dhe thonë Rama është lideri më i madh që kam njohur në jetën time.