Betohet i emëruari i Ramës në Himarë, Vangjel Tavo

I emëruar i Edi Ramës në Himarë, Vangjel Tavo është betuar ditën e sotme për postin e kryetarit të bashkisë Himarë, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme.

Mbledhja u mbajt sot në Këshillin Bashkiak të Himarës, në ambientet e institucionit, ku u ndoqën procedurat protokollare për të zgjedhurit vendorë dhe Tavo u betua para anëtarëve mbi Kushtetutë. Para godinës së Bashkisë Himarë ishin mbledhur prej mëngjesit të sotëm përfaqësuesit e këshillit nga të gjitha palët politike, që ndoqën më tej edhe ceremoninë e betimit.

Pas betimit, Tavo u shpreh se sfidat komunitare janë të shumta në Bashkinë Himarë, por me besim, me punë dhe vullnet shtoi ai gjithçka mund të realizohet.

 “Sfidat janë të shumta, problematiket janë nga më të ndryshmet në të gjithë sektorët e jetesës komunitare, por nga përvoja ime, kam mësuar se kur ekziston vullneti dhe dëshira, çdo gjë mund të realizohet”, tha ai.