Diktatura e Ramës kërkon një aksion mbarëkombëtar për t’i çjerrë maskën në Perëndim

Rama ka kohë që punon që shtetin e tij putinesk ta kthejë në një diktaturë të mirëfilltë, ku cdo gjë të kontrollohet prej tij. Si anarkist dhe aventurier politik ai siguroi fillimisht kalin e betejës, duke ju marrë socialistëve partinë e tyre; u fuqizua financiarisht duke bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe kthyer Shqipërinë në një plantacion të kanabisit; kapi institucionet e shtetit dhe e bëri jo funksionale demokracinë dhe zhduku shtetin e së drejtës; krijoi një sistem drejtësie të re për të kapur drejtësinë dhe kontrolluar jetën politike në vend. Sot Shqipëria është e paralizuar institucionalisht, është prishur cdo balancë pushteti dhe drejtohet me dorën e hekurt të një individi që vendos për cdo gjë. Shoqëria civile është asfiksuar dhe ata të paktë që ju dëgjohet zërin janë përcaktuar si përfaqësues të saj nga vetë diktatori. Administrata civile është vënë në rrjsht nga patronazhistët e shumtë dhe të kudondodhur dhe mbijeton në funksion të marrjes së rrogës. Parlamenti me mazhorancë socialiste është kthyer në një sallë dekori, ku diktatori i tufës së përfaqësuesve pa identitet, që presin të rruajnë diçka që ka mbetur, bën provën e radhës të retorikës së tij të bujshme dhe plot vrer e kërcënim. Drejtësia e kapur plotëson urinë e shfrenuar të diktatorit për të goditur opozitën në çdo nivel. Arrestimi pa akuzë dhe fakte e liderit të opozitës, presioni ndaj liderëve të tjerë është mënyra e sigurt për të lënë vendin pa alternativë dhe të tjetërsojë rrugën demokratike të vendit. Arrestimi i deputetit të opozitës Salianji, duke shkelur edhe ligjet, është presioni i diktatorit për të terrorizuar popullin dhe shtypur nevojën e tij për të mbrojtur sistemin demokratik.

Shqipëria sot është në një diktaturë të re, jo domosdoshmërisht si diktaturat e përjetuara nga populli Shqiptar. Shqiptarët nuk vriten, por vidhen masivisht dhe shpërdorohet prona dhe financat publike për të mbetur të varfër dhe të poshtëruar; nuk kërcënohen vetëm me burg dhe internime, por detyrohen të lënë atdheun masivisht si qenie të pashpresë; nuk arrestohen për tradhti, por akuzohen për vepra penale që zor se bindin njeri. Sot diktatura nuk dënon për agjitacion e propagandë, por për “prishje imazhi të Shqipërisë”, ku regjimi është bërë njësh me krimin e organizuar, me pastrimin e parave dhe me grykësinë e një korrupsioni galopant të pakontrolluar.

Autokracitë dhe diktaturat është e pamundur të mos duken dhe vihen re nga të gjithë. Opinioni publik e ndjen dhe është i pafuqishëm për ta ndryshuar. Ambasadat kuptojnë por merren me tullumbacet e ndryshimeve urbane dhe nuk guxojnë të prishin humorin e shefave të tyre që janë “impresionuar” nga diktatori Shqiptar. Partnerët qëndrojnë në heshtje se mendojnë se mund të krijojnë një destabilitet në lëvizjen për të ndryshuar monstrën. Të vetmit që sensibilizojnë për situatën ulëritëse në Shqipëri është shtypi ndërkombëtar dhe gazetarët e guximshëm të shtypit Gjerman, Francez, Amerikan, Italian, etj., që flasin hapur për shtetin-mafie në Shqipëri.

Përkrahja që vjen për diktatorin Rama nga qarqe të caktuara perëndimore duket që është pjesë e lobimit, blerjes së influencës me metodat McGonigal apo qarqeve klienteliste, që diktaturën në Shqipëri e shikojnë si oportunitet për tu pasuruar financiarisht apo shtrirë influencat politike në rajon, si Alex Soros.  Kjo shpjegon pse në kohën kur Shqipëria po vuan nga një diktaturë e re, në Senatin Amerikan ka senatorë, si Shaheen, që flasin për demokraci që lulëzon, apo janë gati të sjellin në politikën zyrtare Amerikane Ballkanin e Hapur, të sponsorizuar nga autokratët ballkanikë dhe anashkaluar Kosovën. Ka ardhur koha që diaspora patriotike në SHBA t’i informojë fillimisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, dhe më vonë të reagojë me votë dhe me mënyra të tjera ndaj këtyre përfaqësuesve që përkrahin regjime autokratike në Ballkan për interesat e lobimit politik.

Shqipëria sot është në udhëkryq dhe kërkon shpëtimin e demokracisë. Sot ka dy rrugë: Revolucion demokratik për rikthimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar me shkrime në shtypin ndërkombëtar, demonstrata para Parlamentit Europian, Shtëpisë së Bardhë, dhe në cdo institucion kryesor të BE-së me pjesëmarrje edhe të patriotëve të diasporës që duan shtetin e tyre të lirë dhe demokratik në Shqipëri, peticione dhe kërkesa në mbrojtje të demokracisë të intelektualëve Shqiptarë në kryeqytetet vendim-marrëse të botës.

Mosbindja civile duhet të jetë shumëplanëshe në terren dhe jashtë për të paralizuar diktaturën dhe sensibilizuar e ngritur opinionin ndërkombëtar.

Vetëm kështu thyhet diktatura dhe fitohet e ardhmja demokratike e Shqipërisë.