Rrahmani: Napoli, për titull? Herët për ta thënë, duhet të kuptojmë në ç’nivel jemi

Napoli fiton dhe merr vendin e parë. Skuadra e Antonio Contes mundi 2-0 Monzën në ndeshjen e së dielës në mbrëmje dhe kaloi Juventusin në krye të tabelës. Amir Rrahmani është shprehur i kënaqur me atë që ka arritur. Mbrojtësi i skuadrës napolitane foli për “Rai Sport” si më poshtë:

“Fitoret dhe rezultatet janë falë të gjithë ekipit. Ne kemi qëndrimin e duhur dhe kjo bën diferencën. Është e vërtetë që vitin e kaluar e humbëm këtë, por këtë vit po e rizbulojmë, ashtu siç po rizbulojmë mekanizmat si të ndihmojmë shokët tanë, të bëjmë lëvizjet e duhura dhe shumë faktorë që na duhen për të luajtur mirë.

Në këtë kohë të shkurtër po mësohemi me stile dhe module të ndryshme të lojës, jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të mësohemi me këto gjëra.

Vendi i parë në renditje? Është shumë herët për të bërë krahasime me sezonin e Scudetto-s, ne ende duhet të përballemi me shumë skuadra të forta për të kuptuar se në çfarë niveli jemi”.