Dënimi i Salianjit/ Reagimi opozitar - Mospjesëmarrje në Komisione…Tabaku e Paloka pritet të bëjnë publik…

Partia Demokratike pritet të paraqesë qëndrimin e saj në raport me Parlamentin, pas arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji, gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane.

Komisioni pritet të mblidhet në orën 09:00, ndërsa deputetët Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, do të paraqesin qëndrimin e PD-së.

Ndërkohë në mbledhjet e tjera të Komisioneve Parlamentare, deputetët e PD-së nuk do të jenë prezent, çka duket se është hapi i parë i veprimeve të tyre, pas burgosjes së Salianjit.

Pak ditë më parë drejtues të PD-së artikuluan ndërprerjen e marrëdhëniese institucionale me mazhorancën e Edi Ramës, por pa specifikuar se deri në ç’masë mund të shkojë ky qëndrim.

Gjatë mesditës deputetët e PD do të zhvillojnë një tjetër mbledhje ku pritet të përcaktojnë strategjinë që do të aplikojnë në raport me Kuvendin, duke nisur nga seanca e sotme, e cila mbahet në orën 17:00 dhe ku pritet të njoftohet zyrtarisht ndërprerja e mandatit të deputetit për Ervin Salianjin.