Shifra dëshpëruese/ Po 'shkrihet' numri i studentëve të diplomuar dhe doktorëve të shkencave

Maqedonia e Veriut ndan vetëm 0,38% të PBB-së për veprimtari hulumtuese-shkencore, dhe për këtë arsye jemi në “bisht” në rajon për sa i përket parave për investime dhe zhvillim të këtij segmenti, i cili është bazë për zhvillimin e ekonomisë, shëndetësisë dhe biznesit. Viti akademik fillon me rritje të numrit të studentëve dhe përfundon me ulje të numrit të të diplomuarve, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

RMV-ja “mbetet prapa” në raport me vendet e rajonit për sa i përket parave që i investon në hulumtim dhe zhvillim

“Përmirësimi i programeve të studimit dhe të mësimdhënies, promovimi i aktiviteteve në nivel evropian, sigurimi i lirisë dhe autonomisë akademike, kriteret për rekrutimin dhe avancimin e kuadrit akademik”

Këto janë vetëm një pjesë e zgjidhjeve të shënuara në Raportin për punën e Këshillit Kombëtar të Arsimit të Lartë dhe të Veprimtarisë Hulumtuese-Shkencore, që i është dërguar Kuvendit, për debat dhe votim.

Një nga problemet thelbësore të theksuara në raportet e BE-së është mungesa e progresit në veprimtarinë hulumtuese, e cila është bazë për zhvillimin e shoqërisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe biznesit.

“Është shqetësuese që, sipas BE-së, në Maqedoninë e Veriut nuk po vërehet përparim në raport me Kartën Evropiane të Hulumtuesve. Nëse analizohet sipas numrit të hulumtuesve të punësuar, është e qartë se Maqedonia ka numrin dukshëm më të ulët të hulumtueseve në rajon, gjegjësisht në 1 milion banorë, ajo punëson dy herë më pak se Kroacia dhe gjashtë herë më pak se Sllovenia”, thuhen në raportin e ri.

Sipas të dhënave të vitit 2023, në vend ka pasur 3.361 persona që janë marrë me veprimtari shkencore, por prej tyre vetëm 1.976 hulumtues, ndërsa të tjerët kanë qenë mbështetje teknike dhe profesionale. Edhe pse janë bërë dy përpjekje për investime më serioze në veprimtarinë hulumtuese dhe janë blerë pajisje, megjithatë mungojnë rezultate të dukshme për faktin se nuk kishte para për mirëmbajtjen e pajisjeve, nuk kishte as kuadër adekuat dhe profesional, e as financa për kostot aktuale për punë.

Të dhënat buxhetore tregojnë se në vitet e kaluara fondet për shkencë janë rritur nga 1,3 milionë euro në vitin 2021 në 3,5 milionë euro në vitin 2023 dhe 2022, por edhe përkundër kësaj, investimet në hulumtime dhe inovacion mbeten të ulëta, me 0,38% të PBB-së.

“Tendenca e investimeve vazhdimisht të ulëta në hulumtim dhe zhvillim është edhe më e theksuar nëse e krahasojmë me mesataren e BE-së prej 2,24% të PBB-së, por edhe në raport me vendet e rajonit. Në rajon, Serbia ia kushton pjesën më të madhe të PBB-së së saj hulumtimit, edhe atë 0,9%, ndërsa Mali i Zi shpenzon 0,49% të PBB-së së saj për këtë veprimtari”, informon Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Hulumtuese-Shkencore.

Nuk kemi asnjë universitet në shoqërinë e 1.200 më të mirëve në listën e Shangait

Një nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë është Lista e Shangait, në të cilën, vitin e kaluar nuk ishte asnjë universitet i yni në listën e 1.200 më të mirëve në botë.

“Është interesant fakti që renditja bazohet kryesisht në tregues të produktivitetit dhe cilësisë shkencore, ku përfshihet numri i fituesve të çmimeve më prestigjioze shkencore, shkencëtarët më të cituar, indeksi i citimeve të punimeve shkencore etj. Nuk ka asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut në listën e Shangait për vitin 2023, për dallim nga Universiteti i Beogradit, i cili renditet ndërmjet vendit të 301-të dhe 400-të, përveç universiteteve të Zagrebit, Lubjanës dhe Novi Sadit, të cilët renditen në 1000-shen e parë” – deklarojnë shkencëtarët-hulumtuese dhe theksojnë se nëse universiteti më i madh “Shën Kirili dhe Metodi” dëshiron të përfshihet në listën e zgjeruar të Shangait me 1.200 universitete, duhet të pesëfishojë numrin e publikimeve nga autorët.

Arsimi i lartë ka përjetuar ndryshime tektonike në dekadën e fundit, si në aspektin e cilësisë ashtu edhe për nga numri i të diplomuarve. Edhe pse vitin e kaluar është rritur numri i studentëve të regjistruar, numri i të diplomuarve ka rënë. Është interesant fakti se numri i të diplomuarve nga universitetet shtetërore po i afrohet numrit të të diplomuarve nga universitetet private. Statistikat tregojnë gjithashtu rënie të numrit të magjistrantëve të diplomuat dhe doktorëve të shkencave.

Sipas të dhënave nga Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Arsimit të Lartë, vitin e kaluar numri i magjistrave në krahasim me vitin 2022 është ulur për 2,9%, ndërsa i doktorëve të shkencave për 11,7%.

Shkenca në vazhdimësi kërkon investime serioze në arsimin e lartë, por edhe në veprimtarinë hulumtuese-shkencore. Ligji i ri për Arsimin e Lartë do ta presë vitin e ardhshëm kalendarik, por sipas informacioneve të Ministrisë së Arsimit, janë duke u hartuar kritere të reja për avancimin e kuadrit akademik, heqja e katedrave të caktuara shkencore për të cilat nuk ka interes, gjegjësisht reduktimi i fakulteteve. Nga ana tjetër, profesorët tashmë paralajmërojnë se duhet të ndryshohen edhe kriteret për mbështetjen shtetërore të universiteteve, por edhe të fillohet një luftë me korrupsionin dhe nepotizmin në arsimin e lartë.

Në vend ka gjashtë universitete shtetërore, një universitet privat-publik, dhjetë universitete private, tre universitete të huaja dhe tetë shkolla të larta profesionale.