Berisha: Më 7 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë

Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që në datë 7 tetor të dalin në protestë për shpëtimin e Shqipërisë.

‘Më 7 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.

Berisha: Burgosja e Ervin Salianjit, duhet të jetë për çdo demokrat, për çdo qytetar, arrestimi pa asnjë fakt, dokument i Sali Berishës në shtëpi, persekutimi i liderëve të tjerë të opozitës, rrëmbimi i mandatit të kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, të gjitha këto së bashku janë kushtrime për opozitën, për PD-në, të përballet me këtë armik që çdo ditë bën çdo gjë për asgjësimin e tyre.

Miqtë e mi, duhet të jemi të vetëdijshëm se sot çdo qëndrim me duarkryq, çdo qëndrim në mbrojtje, është lojë për Edi Ramën.

Është fitore për Edi Ramën.

Ndaj dhe ne do kalojmë në sulm.

Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vend këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve.

Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente.

Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Këto instrumente nuk janë 600 mijë shqiptarë që na kanë votuar zgjedhjet e fundit, jo, mjaftojnë vetëm disa mijëra prej tyre që sot janë gati në këmbë për rezistencë të qëndrueshme, pa kthim, deri në fitore, por presin udhëheqjen tuaj, frymëzimin tuaj, orientimin tuaj, organizimin tuaj, mobilizimin tuaj.

Ndaj dhe kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës.

Për përgjigjen tonë me datën 6 tetor.

O sot o kurrë, pa kthim, të paralizohet qeveria gjer në vendosjen e qeverisë teknike.

Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë.

Vetëm kështu Shqipëria rikthehet në rrugën e ligjit, Kushtetutës.

Vetëm kështu ndalohet rrokullisja e saj dhe shoqërisë sonë drejt abiseve të historisë.

Por thirrja ime nuk është sot vetëm për ju të dashur demokratë.

Kjo thirrje është për çdo shqiptar pa dallim partie, përballë narkodiktaturës nuk ka demokrat, socialist, pa parti, të majtë ose të djathtë, sot çdo vijë ndarëse që ekziston dhe do ishte e ndershme në një situatë normale, është fshirë.

Nuk ka vijë ndarëse kur përballë ke diktaturën e krimit, drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Prandaj sot çdo shqiptar është me ose kundër diktaturës.

Dhe sot që hekurat e burgut hapen që të futet një djalë i ri e i pafajshëm, çdo shqiptar duhet ta kuptojë se edhe mosreagimi është një mbështetje ndaj diktaturës.

Sepse edhe opozita ndaj opozitës është mbështetje e diktaturës.

Prandaj ndasive ton le t’u bëjmë një pauzë sepse një armik i vërtetë ka krijuar nevojën e bashkimit të mbarë shqiptarëve.

Prandaj me 6 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë.

Sepse demokracia, zgjedhjet e lira, sovraniteti, nuk i përkasin vetëm një partie, u përkasin të gjithë shqiptarëve.

Vetëm bashkë, shqiptarët e fitojnë këtë luftë.