Ina Zhupa: PD angazhohet për ndalimin e koncesioneve në trashëgiminë kulturore

Kryetarja e komisionit përgjegjës për kulturën, deputetja Ina Zhupa reagoi sot në ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore. Ajo solli në vëmendje një nga betejat e saj kundra koncesionit të Butrintit dhe paraqiti angazhimin e Partisë Demokratike për të ndaluar koncesionet në trashëgiminë kulturore.

Zhupa u shpreh se me qeverisjen e PD “ UNESCO do jetë busull orientimi dhe mbrojtja dhe inskriptimi i pasurive kombëtare në UNESCO, do jetë një angazhim serioz”. Ajo sjell shifra dhe të dhëna nga raporti i KLSH se si qeveria ka dështuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe po bën një eksperiment të rrezikshëm duke e trajtuar atë si mall tregtar.

Statusi i plotë:

Sot dita kombëtare e trashëgimisë kulturore, Partia Demokratike angazhohet për ndalimin e koncensioneve në trashëgiminë kulturore.

Bashkimi i kulturës me ekonominë, një eksperiment unik shqiptar me funksion dhënien me koncensione, nëpërmjet fondacioneve të trashëgimisë kulturore do marr fund sapo PD të jenë përgjegjëse për qeverisjen.

I pari model koncesioni ishte Butrinti, beteja për të cilin ende vazhdon me shpresën që do ndalohet sa më shpejt. UNESCO e kundërshton dhe raportet e tyre zhduken nga institucionet shqiptare.

Në Shqipëri janë sipas KLSH 122 monumente plotësisht të shkatërruara, 884 monumente që kanë nevojë për restaurim, 745 në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, 98 objekte të tjetërsuar si dhe 15 objekte pa kartelë.

Përgatitje për plane koncesionare përshijnë Pallatin e Brigadave, Amfiteatrin e Durrësit, Kalanë e Gjirokastrës dhe sa e sa të tjera që po punohet për një plan menaxhimi me fondacione.

Partia Demokratike në programin e saj për trashëgiminë kulturore e ka pikë themelore rolin parësor të shtetit dhe ndalimin e koncesioneve, lejimin vetëm të donacioneve dhe të bashkërendimin me privatin si ndihmë dhe jo si marrës i trashëgimisë dhe trajtimit të saj si mall tregtar. Për ne UNESCO do jetë busull orientimi dhe mbrojtja dhe inskriptimi i pasurive kombëtare në UNESCO, do jetë një angazhim serioz.

Trashëgimia kulturore është thelbi i identitetit, historisë dhe krenarisë tonë si shqiptar, ndaj është detyra jonë ta mbrojmë, ta lartësojmë dhe tja u lëmë brezave të ardhshëm.