‘Jo me fjalë’/ Baçi: Duan të zhbëjnë opozitën, Grupi Parlamentar duhet t’i përgjigjet kësaj situate jo të zakonshme!

Deputeti i PD, Luan Baçi thotë se opozita është e vonuar ndaj reagimeve për burgosjet e dhe përndjekjet përmes gjyqeve politike ndaj drejtuesit dhe deputetëve të opozitës.

Nga studio e Syri Tv në edicionin e pasdites, ligjvënësi demokrat tha se mazhoranca dhe parlamenti është toleruar nga opozita për hir të detyrimeve që këta të fundit kanë ndaj qytetarëve.

Sipas Baçit, opozita duhet të kishte reaguar fuqishëm dhe të kishte përshkallëzuar qëndrimin e  saj, që pas arrestimit të liderit të opozitës, Sali Berisha në dhjetor të vitit të kaluar.

Baçi ishte më kritik dhe i prerë në qëndrimin e tij, sa i përket arrestimit poltik siç e cilësoi ai, të kolegut të tij demokrat Ervin Salianji, për kallëzim të rremë, kur në fakt ai ka bërë denoncim publik.

Ligjvënësi demokrat tha se do të pritet vendimi i grupit parlamentar të PD të hënën për të dalë në një vendimmarrje, ndërsa është i mendimit se ky vendim duhet të jetë tejet i ashpër si kundërpërgjigje e përndjekjeve të opozitarëve të tjerë përmes gjyqeve politike.

Kemi toleruar dhe jemi ulur në karriget tona për hir të detyrimeve ndaj qytetarëve. Kjo mazhorancë e merr për dobësi, s’do të jetë gjë e re që opozita me parlamentin s’duhet të jetë në një marrëdhënie siç ka qenë më parë. Arrestimi i Salianjit, zëri më më i fortë denoncues, arrestimi pa logjikë juridike dhe pa pasur akuzë, po banale, dënohet e gjykohet për kallëzim të rremë që s’gjendet në Kodin e Pr. Penale. Arrestim politik, goditje e radhës që i bëhet opozitës.

Të hënën në seancën e parlamentit, Grupi Parlamentar do mblidhet dy orë përpara se çfarë marrëdhëniesh do kemi me parlamentin. Kanë një mendim që marrëdhënie normale s’duhet të ketë më, s’mund të vazhdohet më kështu.

Kur arrihet deri te deputeti që ka imunitet për përgjegjësin e fjalës, çfarë mund të presim për drejtuesit e tjerë të PD. Ne duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë këtij pushteti. Mjaft është mjaft, jemi goditur në mënyrë të pabesë, na detyruan të futemi në zgjedhjet lokale pa emrin e kryetarit dhe mbijetuam e morëm  rreth 600 mijë vota. Triumfuam me vulën e siglën, nisën me goditje të njëpasnjëshmë. Revolta jonë duhet të kishte ndodhur në dhjetor 2023, s’ditëm ta ngrinim opozitën në mënyrën e duhur. Arrestimi i Berishës, ishte goditja më e fortë e PD.

Në SPAK kishin ankth para arrestimit të Sali Berishës, kur panë që ne s’reaguam, atëherë këta thanë që s’ka çfarë ndodh më edhe  mund t’i arrestojmë të gjithë. Ne s’duhet të kishim komplekse, protesta jonë duhet të ishte edhe para SPAK. Nëse ky reagim, ky kompleks s’duhet ta kishim në atë kohë, s’do kishim ardhur në këtë realitet ku u arrestua deputeti Salianji. Të gjithë demokratët duhet të ishin në këmbë në dhjetor 2023. I kisha gjithë kundër ku thashë që duhet të ngrihemi. Një pjesë me arsye të ndryshme, iu shmang kësaj gjëje për arrestimin e Berishës, tashmë që goditet një deputet mendojnë se do goditen me radhe, edhe deputetët e tjerë të opozitës. Eshtë nën hetim politik edhe Ilir Meta, Fatmir Mediu, nën presion politik, proces gjyqësor absurd dhe i gjykuar disa herë. Është goditje ndaj opozitës.

Sot që u godit Salianji, secili shikon veten e tij që mund të ishte goditur. Mazhoranca e ka si taktikë që të presionojnë opozitën për të mos denoncuar. Grupi Parlamentar duhet të reagojë fuqishëm, jo me fjalë por me vendime ekstreme për t’iu përgjigjur kësaj situate ekstreme dhe jo e zakonshme. Duan të zhbëjnë opozitën, Berisha vijon të jetë i arrestuar politikisht. S’kam shpresë se ajo gjykatë që në bashkëpunim me SPAK, e kanë bërë vendimin gati për ta drenuar Berishën. SPAK madje e ka sbërë vetë gati dënimin, gjykata vetëm do e thotë.