Kryediplomati Iranian zotohet të hakmerret për vdekjen e zëvendëskomandantit të Gardës Revolucionare

Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araghchi është zotuar se do të hakmerret për vdekjen e Abbas Nilforoushan, zëvendëskomandant i Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC) për operacione, në një sulm ajror të fundit izraelit në Bejrut.

"Ky krim i tmerrshëm nga regjimi agresiv sionist (Izrael) nuk do të mbetet kurrë pa përgjigje," tha kryediplomati iranian në një letër drejtuar komandantit të përgjithshëm të IRGC, Hossein Salami, të lëshuar nga Ministria e Jashtme iraniane.

Ministri i Jashtëm u zotua gjithashtu se aparati diplomatik i Iranit do të përdorë gjithashtu të gjitha kapacitetet e tij politike, diplomatike, ligjore dhe ndërkombëtare për të ndjekur kriminelët dhe mbështetësit e tyre.

Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për Udhëheqësin Suprem të Revolucionit Islamik Ayatollah Sejjid Ali Khamenei, shefin e IRGC-së dhe kombit iranian për vdekjen e gjeneralit Nilforushan.

Më vete të dielën dhe përpara se të nisej nga Nju Jorku për në Teheran, Araqchi u tha gazetarëve se vdekja e udhëheqësit të Hezbollahut, Nasrallah do të forcojë ndjeshëm lëvizjen e rezistencës.

Ai theksoi se krimet e kryera nga regjimi izraelit në Gaza dhe Liban tregojnë se "sigurisht nuk ka të ardhme për të në rajon", duke pohuar se Izraeli "nuk do të shohë kurrë paqe".

Më 28 shtator, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) raportuan se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut. Të shtunën, grupi paraushtarak shiit konfirmoi vdekjen e udhëheqësit të tij./ IRNA.