Libani në kaos, mbi 1 mijë viktima/ Mijëra njerëz të zhvendosur në kushte të dëshpëruara

Sulmet e Izraelit në Bejrut kanë ndezur panik në Liban, një vend në kaos edhe për shkak të vdekjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Ndërsa sulmet nga ajri vazhdojnë, popullsia civile po ikën nga rrënojat. Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi janë të paktën 200 mijë persona të zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite në Liban, përveç 50 mijë qytetarëve të tjerë që tashmë janë strehuar në Siri.

“Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar, përfshirë nga UNHCR, për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë”, tha ai.

Gjatë luftës civile siriane, qindra mijëra njerëz (1.5 milionë sipas qeverisë së Bejrutit) u strehuan në Libanin fqinj për t’i shpëtuar mizorive që po ndodhin në Siri; tani, me sulmin e Izraelit të drejtuar kundër Hezbollahut, rrjedha ka ndryshuar dhe libanezët po strehohen në Siri. Një skenar apokaliptik me mbi një mijë të vdekur, sipas shifrave të dhëna nga autoritetet libaneze.

Bejruti nën sulm: familjet në panik
Pas bombardimeve në Bejrut, mijëra njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre. Një situatë e paprecedentë, siç shpjegohet nga Sabine Abiaad, koordinatorja rajonale e fushatës së ActionAid, e cila jeton në Bejrut me familjen e saj.

“Në 24 orët e fundit, ne kemi parë periudhën më të vështirë dhe më të tmerrshme që nga fillimi i këtij përshkallëzimi të sulmeve. Bombardimet e vazhdueshme të Izraelit zgjatën gjatë natës, duke i lënë fëmijët, familjet dhe të dashurit tanë në një gjendje stresi dhe paniku ekstrem, shkalla psikologjike e kësaj lufte po dëmton seriozisht aftësinë tonë dhe të partnerëve tanë për t’iu përgjigjur nevojave në rritje humanitare”, tha ajo.