Dosja e tritolit në anijen në Sarandë, si u fiksua autori dhe i arrestuari nga kamerat

Media ka sigururar dosjen e plotë hetimore të ngjarjes së rëndë në Sarandë ku në muajin qershor, humbi jetën Armandi Nelaj duke tentuar të vendoste eksploziv në një anije udhëtarësh. Viktima dhe bashkëpuntori i tij u fiksuan 2 ditë para ngjarjes duke blerë pajisje zhytjeje ndërsa prokuroria e Sarandës ka zgjeruar hetimet.

Turisti belg F.R dhe ai anglez N.M ishin personat e fundit që komunikuan me Armandi Nelajn pak para se 52 vjeçari të humbte jetën mbrëmjen e 24 qershorit duke tentuar ti vendoste eksploziv tragetit “Kristi”, e tipit “Delfin” në portin e Sarandës.

Turistët kanë komunikuar me viktimën pak para shpërthimit duke i ofruar ndihmë pasi e kishin parë në një varkë pa ndricim duke tërhequr 2 canta të zeza në ujë.

Turistët kanë deklaruar se viktima ishte me maskë zhytjeje dhe i ka thënë të largoheshin, por pas rreth 30 sekontash kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.

Ata kanë lajmëruar policinë kufitare e bashkë me to kanë nxjërrë në breg varkën e viktimës.

Por mesa duket prokuroria e Sarandës ka arritur të administrojë prova të forta për ngjarjen dhe implikimin e viktimës dhe bashkëpunëtorit të tij të arrestuar Erdion Muho.

“ Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se në datë 23.06.2024, rreth orës reale 13:17-13:26, në ambientet e subjektit ‘pajisje peshkimi’, vijnë dy persona nga jashtë dhe të identifikuar nga policia si shtetasit Armandi Nelaj dhe Erdion Muho. Pasi kanë hyrë në këtë ambient kanë blerë lopata peshkimi dhe materiale të tjera peshkimi dhe më pas kanë dalë nga ky subjekt ” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Grupi hetimor është i bindur se motiv i ngjarjes është konkurenca për linjën Sarandë-Korfuz dhe palë e dëmtuar është kompania detare “Finikas Lines”.

“ Gjithashtu nga këqyrjet e pamjeve filmike, konstatohet se më datë 22.06.2024, shtetasi Erdion Muho vërehet duke shoqëruar shtetasin Armandi Nelaj, për të pozicionuar varkën me të cilën ka dalë më det më datë 24.06.2024 kur ndodhi edhe shpërthimi” evidentohet si provë në dosjen hetimore.

Madje nga dëshmia e të dëmtuarve, ata i kanë dhënë indicie prokurorisë së plani i personave që kanë qenë të interesuar ti godasin biznesin, ka qenë që të digjnin një anije tjetër që ndodhej për rimond në portin e Pireut. Për këtë dyshohet se janë ofruar 30 mijë euro por ngjarja nuk u realizua.

Po ashtu trageti i kompanisë “Finikas”, në vitin 2020 është qëlluar me armë nga toka në zonën e ksamilit teksa lundronte në det, ngjarje e cila nuk është zbardhur nga policia.

Prokuroria e Sarandës pritet të zgjerojë hetimet për ngjarjen e rëndë për motive konkurence, shkruan Euronews Albania.

I arrestuari i vetëm deri më tani Erdion Muho u la në burg nga gjykata e apelit edhe pse ofroji garanci pasurore për tu hetuar në gjendje të lirë.

Pas ngjarjes 35 vjeçari u largua në drejtim të Greqisë për të patur një alibi ndërsa gjatë arrestimit, hetuesit vunë re se ai kishte ndruar aparatin celular duke pretenduar se i kishte rënë në ujë. Megjithatë edhe nga ekspertimi i aparatit të ri, hetuesit kanë gjetur biseda ku Muho dërgon informacion për subjetin tregtar “Finikas” dhe ka një vlerësim negativ për këtë kompani detare konkurente.