VIDEO/ Dash Sula: Shkëndijën për të ndezur zjarrin opozitar duhet ta japë grupi parlamentar i PD

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV, ka akuzuar Edi Ramën për dënimin politik të Ervin Salianjit.

Sula tha përballë moderatorit, Arnold Karriqi se, detyrën më kryesore në betejën me pushtetin në këto kohë të vështira e ka opozita. Sipas tij, është grupi parlamentar ai i pari që duhet të ndezë zjarrin opozitar, dhe më pas qytetarët.

‘Ervin Salianji po bën burg se do Edi Rama, se do PS, dhe po bën burgun e grupit parlamentar të PD-së, nuk po bën burgun e vet Salianji.

Ervin Salianji po bën burgun tonë, sepse mesazhi është për ne, mbyllni gojën. Nëse ne jemi burra që tërhiqemi, që nuk sakrifikojmë, e thashë dhe në grupin parlamentar, mos rrini kot këtu, hapni rrugën të tjerëve nëse nuk bëni sakrifica personale. Nuk është më koha e fjalëve.

Nga ajo ditë unë kam bërë një kthesë 180 gradë, që tani nuk është më kritika brenda opozitës, edhe pse kemi probleme, por publikisht goja ime do të mbyllet vetëm e vetëm për ti dhënë mundësinë kësaj opozite që ku jemi e ku nuk jemi të bashkohemi, sepse kemi vetëm dy rrugë; bashkimi që na çon drejt ndaljes së kësaj tiranie që po vendoset.

Mbajeni mend këtë që po ju them, nëse ndodh që këta të fitojnë përsëri, apo të kenë një numër të cilësuar këto do të ndryshojnë kushtetutën dhe nuk dihet se ca do të ndodhë me këtë vend.

Janë për tu falënderuar ato pak media, ato pak gazetarë, ato pak personalitete që kanë integritet dhe po punojnë për të ndaluar këtë çmenduri që po ndodh. Kështu u instalua diktatura edhe në 1945, me Enver Hoxhën.

Edhe ata njerëz që ishin të shkolluar thoshin, leje, leje dhe u instalua diktaturë dhe erdhi 45 vite dhe thanë jemi të gjithë të vuajtur.

Sakrificën e parë duhet ta bëjë grupi parlamentar i PD, të ndezë një shkëndijë për të ndezur zjarrin opozitar, për të lëvizur dhe bërë të ndërgjegjshëm të gjithë qytetarët e tjerë.

Nëse grupi parlamentar nuk e bën këtë lëvizje, fshihet, çfarë tu kërkosh qytetarëve’, tha deputeti Dashnor Sula në SYRI TV.