Bënin bastisje shtëpish në seri në Napoli, karabinieri në pension kap 2 ‘skifterët’ shqiptarë

Dy “skifterë” shqiptarë të dyshuar për bastisje të banesave dhe bizneseve në seri u arrestuan dy ditë më parë (26 Shtator) në Itali nga karabinierët në Frosinone (Napoli).

Të dyshuarit janë të dy 23-vjeçarë, teksa u sekuestruan sende materiale me të cilat realizonin sulmet dhe gjithashtu sende të vjedhura. Aksioni u krye teksa të rinjtë po tentonin të kryenin një grabitje në një shtëpi në “Via Cerreto në Strangolagalli”.

Ishte pronari që fillimisht i trembi dhe më tej fqinji i tij, një ish-karabinier 60-vjeçar, që njoftoi kolegët e tij të Kompanisë Sora. Pasi ka shpëtuar nga dritaret e kateve të sipërme, njëri është rrëzuar, por më pas ka arritur të largohet. Kërkimet për të dyshuarit u zgjeruan në të gjithë zonën.

Gjatë kontrolleve, u kap një “Audi Q2” e bardhë, e regjistruar tek një napolitan, kurse të dyshuarit tentuan të arratiseshin drejt Frosinone.

Të arrestuarit u dërguan më pas në kazermën e Strangolagalli. Njëri prej tyre po trajtohet edhe për dëmtimet që mori në të dyja këmbët, si pasojë e hedhjes nga lartësia e banesës teksa tentonte arratisjen.

Brenda në mjetin “Audi”, në një çantë shpine, u gjet një komplet i plotë mjetesh për vjedhje: doreza, kaçavida, levë, dhe mjete hapëse të tjera, kapele dhe materiale të tjera, për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve dhe njohjen.

Janë sekuestruar gjithashtu makina, pajisje dhe telefona. Pas identifikimit me foto, dy shtetasit shqiptarë, një me banim në Parete dhe tjetri në Acerra, u transferuan në burgun e Frosinone.