Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së: Askush nuk mund ta ndalojë Netanyahun, as Amerika!

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së thotë se asnjë fuqi, përfshirë SHBA-në, nuk mund ta “ndalojë” kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Josep Borrell u tha gazetarëve në Nju Jork se “ndërkombëtarët po rrisin presionin për një armëpushim, por askush nuk duket se është në gjendje ta ndalojë Netanyahun, as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor”.

Borrell tha se Netanyahu e kishte bërë të qartë se izraelitët “nuk ndalojnë derisa Hezbollahu të shkatërrohet”.

“Nëse shkatërrimi është i njëjtë si me Hamasin, atëherë ne do të shkojmë për një luftë të gjatë,” tha ai, cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Të premten, zyrtarët libanezë thanë se gjashtë persona u vranë dhe 91 u plagosën në një sulm ajror, ndërsa zyrtarët lokalë thanë se rreth 800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban që nga e hëna.