Britania u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Libani

Qytetarëve britanikë u është kërkuar që të largohen menjëherë nga Libani mes përshkallëzimit të dhunës midis Izraelit dhe lëvizjes shiite libaneze Hezbollah.

Në një deklaratë të lëshuar të premten mbrëma, Ministria e Jashtme tha: “Qytetarët britanikë në Liban duhet të largohen tani. Ne po punojmë për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar vende për largimin e qytetarëve britanikë”.

Qytetarët britanikë duhet të regjistrojnë praninë e tyre në faqen e internetit të ministrisë për të qenë të përditësuar me zhvillimet më të fundit.

Njoftimi vjen pas deklaratës së djeshme të Sekretarit Britanik të Mbrojtjes John Healey se sulmet ajrore dhe lëshimet e raketave, konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut libanez, përfaqësojnë “një rrezik që kjo të përshkallëzohet në diçka shumë më të gjerë dhe shumë më serioze”.

Healey gjithashtu vuri në dukje se “shqetësimi i tij i parë mbetet siguria e qytetarëve britanikë në Liban” dhe shtoi se “këshillat e udhëtimit mbeten të njëjta – mos shkoni në Liban. Nëse keni qenë në Liban, atëherë largohuni dhe ka ende fluturime komerciale që largohen, kështu që njerëzit mund ta bëjë këtë.”

Rreth 5,000 qytetarë britanikë ndodhen në Liban, ku, sipas OKB-së, më shumë se 90,000 libanezë janë zhvendosur ditët e fundit.