'Shpresoj që beteja ime të frymëzojë shqiptarët'/ Salianji nis dënimin

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg, deputeti demokrat Ervin Salianji u vetëdorëzua dje në Policinë e Tiranës.

Salianji zgjodhi të përballet me vendimin e gjykatës dhe t’i qëndrojë deri në fund denoncimit që kishte bërë 6 vite më parë. Nga selia e PD-së, me makinën e tij, i shoqëruar nga dy persona, ai iu drejtua Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty gjeti demokratët për të cilët tha se kishte sakrifikuar aq shumë. Ndërsa një mesazh e pati edhe për qytetarët shqiptarë.

“Në përballje me regjimin, secili merr kostot e tij. Unë e di se shumë prej miqve që janë mbledhur këtu në mënyrë rastësore apo shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë në mënyrë të përditshme që ju bën nëpërmjet institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, policisë, nëpërmjet varfërisë që ka mbjellë kudo dhe nëpërmjet banditëve që ka mbjellë kudo. Ne do i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë!”, u shpreh Ervin Salianji.

Në Drejtorinë e Policisë ishin marrë të gjitha masat për shoqërimin e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit. Para se të mbyllte ditën e ngarkuar të së premtes, ai përshëndeti nga dyert e Policisë demokratët që e inkurajuan dhe mbështetën në rrugëtimin e tij politik. Salianji u tha mbështetësve se në përballje me regjimin secili merr kostot e tij. Salianji u shpreh me bindje se do i çmontojnë banditët teksa ka shtuar se dita e demokratëve do të vijë.

Më herët teksa doli nga selia e PD-së drejt Drejtorisë së Policisë, Salianji u shpreh: “Do të përballem kudo që këta kërkojnë dhe në këtë pengmarrje banditeske, do ta bëj betejën aty”.

“Beteja do të jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë të gjithë qytetarët. Ka më të mirë se ata, ne jemi më të mirë se ata. Vendosim sakrificën, duke sakrifikuar lirinë për të thënë të vërtetën. E vërteta do të triumfojë, si protesta e opozitës në 6 tetor. Sot nuk kam dashur të lajmëroj asnjë lloj proteste. Miq të cilët kanë lajmëruar, janë të mirëpritur. Protestat do të jenë të mëdha. Ju falënderoj të gjithë mediat që kanë qenë aleatë të rëndësishëm në demaskimin e kësaj ngjarje dhe në pasqyrimin e ngjarjes, do të shihemi shpejt!”