Energjia në krizë/ Bien investimet private për ndërtimin e HEC-eve

Tregtimi i energjisë elektrike ishte një model tërheqës biznesi vitet e fundit, sidomos në vitin 2022, kur shtrenjtimi i çmimeve në bursa çoi në një rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe fitimeve të operatorëve që kishin hyrë në këtë segment.

Ky është një model i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime, por vetëm me kapital, dhe një numër minimal punonjësish. Gjithsesi në vitin 2023, operatorët panë një ulje të ndjeshme të të ardhurave, të ndikuara nga qetësimi i çmimeve në bursa.

Çmimi mesatar i blerjes së energjisë në tregun e lirë gjatë vitit 2023 ishte rreth 110 euro/MWh, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), me rënie të ndjeshme nga viti 2022, kur arriti në 305 euro/MWh, gati 3.5 herë më i lartë sesa mesatarja e zakonshme që vendi importonte energjinë në periudhën para fillimit të krizës.

Në total, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, importet e energjisë në 2023 ishte rreth 70 milionë euro, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), nga mbi 500 milionë euro që u shpenzuan një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, pesha e importeve në raport me energjinë në dispozicion zbriti në 24.4% në 2023, nga 38.4%, që ishte në 2022, si rrjedhojë e rritjes së prodhimit vendas dhe uljes së importeve.

Në vitin 2023, sipas INSTAT, energjia elektrike në dispozicion u ul me 0,6%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2023, arriti vlerën 8.796 GWh nga 7.003 GWh energji të prodhuar në vitin 2022, duke shënuar rritje të prodhimit me 25,6%.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 1.922 GWh nga 3.044 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rënie me 36,9%.

Kjo situatë ka ndikuar aktivitetin e tregtuesve të energjisë elektrike, që panë rënie të fortë të të ardhurave në vitin 2023.

“Noa Energy Trade” është i vetmi operator i tregtimit të energjisë që ka rritur aktivitetin, pavarësisht rënies së çmimeve të tregtimit dhe importeve, duke u renditur për herë të parë, më i madhi në këtë segment.

Në vitin 2023, kompania raportoi një qarkullim vjetor prej 19.2 miliardë lekësh, me zgjerim prej 29.3% me bazë vjetore. “Këto të ardhura përfaqësojnë të ardhura nga shitja e energjisë elektrike brenda vendit, të ardhura nga tranziti i energjisë elektrike, si dhe të ardhura nga eksportimi i energjisë elektrike”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, në vitin 2023 ka kaluar në tregtuesin e dytë më të madh të energjisë në vend, ndërsa vitin e kaluar ishte i pari. Të ardhurat ishin 10.4 miliardë lekë, me një tkurrje të fortë prej 76% me bazë vjetore, e ndikuar nga ulja e çmimeve të energjisë.

“GSA” ishte operatori i tretë më i madh i tregtimit të energjisë. Në vitin 2023, kompania gjeneroi 8.3 miliardë lekë nga tregtimi i energjisë, me rënie prej 68%, sipas të dhënave të detajuara në bilanc. Në total, të ardhurat e kompanisë ishin 19.1 miliardë lekë në 2023, me tkurrje 54% me bazë vjetore. Pjesa tjetër e të ardhurave sigurohet nga aktivitetet e ferrokromit.

“GEN-I Tirana”, operatori slloven, ka reduktuar të ardhurat me 65%, në 7 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, “synimi i qëndrueshëm i ‘GEN-I Tirana’ është të fitojë konsumatorë fundorë të mëdhenj dhe për rrjedhojë, të zgjerojë fokusin e vet drejt konsumatorëve fundorë SME-Sipërmarrje të Vogla e të Mesme, në rast mundësish të mira të tregut”.

“Tirana International Development-TID”, “Ayen Energy Trading” dhe “Danske Commodities Albania” kanë dalë nga lista e “Monitor 200” për shkak të rënies së fortë të të ardhurave.

Edhe prodhuesit privatë të energjisë, me rënie

Investimet e mëdha në ndërtimin e hidrocentraleve private kanë rritur ndjeshëm peshën e prodhimit të energjisë nga kompanitë jopublike vitet e fundit. Prodhimi ka ardhur në rritje edhe në vitin 2023, por të ardhurat janë ngadalësuar ose kanë shënuar, rënie për shkak të tkurrjes së çmimeve.

Megjithatë, pesha që zënë prodhuesit privatë në totalin e energjisë së prodhuar në vitin 2023 ra me 2.5 pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke arritur në 41.7%, për shkak të rritjes më të fortë të prodhimit nga hidrocentralet publike.

Sipas INSTAT, hidrocentralet publike, në vitin 2023, prodhuan 5.123 GWh nga 3.859 GWh të prodhuar në vitin 2022, duke shënuar një rritje të prodhimit me 32,8%.

Hidrocentralet private dhe koncesionare, prodhuan 3.582 GWh nga 3.093 GWh të prodhuar një vit më parë, duke shënuar rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 15,8%.

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, nëpërmjet dy hidrocentraleve. Në vitin 2023, të ardhurat e tij bruto ranë me 19.4%, në 16.5 miliardë lekë (8.3 miliardë lekë nga aktiviteti kryesor dhe 8.2 miliardë lekë ishin fitime nga aktivitetet e tregut, neto).

Sipas raportit të aktivitetit në vitin 2023, të ardhurat bruto të DHP-së u ulën për shkak të rënies së çmimit të energjisë. Prodhimi total i energjisë elektrike gjatë vitit 2023 ishte 480 547 MWh, reduktim prej rreth 30% krahasuar me vitin 2021, për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Kompania thekson se në vitin 2023 ka pasur kushte hidrologjike të pafavorshme në Luginën e Lumit Devoll, me ulje të konsiderueshme të prurjeve ujore në rezervuarët e Banjës dhe Moglicës, duke rezultuar me ulje të sasisë së prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet.

Një tjetër faktor që ka ndikuar lidhet me çmime të larta të energjisë elektrike në tregjet ku operon DHP.

“Gjatë vitit 2023, çmimet e energjisë në Europë shënuan rënie krahasuar me çmimet ekstreme të një viti më parë. Kjo kryesisht për shkak të uljes së kërkesës, furnizimeve shtesë të gazit nga Norvegjia dhe importet, si dhe një dimër relativisht i butë.

Megjithatë, për pjesën më të madhe të vitit, çmimet ishin në nivele më të larta krahasuar me periudhën përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia”, thuhet në raportin e aktivitetit.

HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Viti 2022 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglicë.

Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW.

Kompania bën të ditur se ka përfunduar zbatimi i Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës nga Statkraft Renewables Albania Sh.p.k. në rezervuarin e HEC-it të Banjës.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 3.8 miliardë lekë, me rënie 64% në raport me vitin e mëparshëm. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje 17%.

Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit./ MONITOR