PD ndërpreru marrëdhënieve me mazhorancën e Ramës, Spiropali anulon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka anuluar Konferencën e Kryetarëve pasi Grupi Parlamentar i PD njoftoi se do të ndërpresë çdo marrëdhënie institucionale me mazhorancen e Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Kuvendit, mbledhja që ishte parashikuar të hënë, do të zhvillohet në një moment tjetër, ndërsa ende nuk ka një datë.

Kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi tha sot në një konferencë për media se ndërprerja e marrëdhënieve me shumicën socialiste në Kuvend, vjen si pasojë e dënimit të deputetit Ervin Salianji me një vit burg për kallëzim të rremë.

Vendimi:

PËR ANULLIMIN E MBLEDHJES TË KONFERENCËS SË KRYETARËVE, DATË 30.9.2024, ORA 12:30

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, të Rregullores së Kuvendit,

URDHËROJ:

1.Anullimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të thirrur në datën 30.9.2024, ora 12.30.

2.Mbledhja e parashikuar për tu zhvilluar më datë 30.9.2024, do të zhvillohet në një datë të mëvonshme.

3.Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare të urdhrit për anullimin e mbledhjes për anëtarët e Konferencës së Kryetarëve.

4.Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.