Avokati Martini: Salianji s’mund të arrestohet pa autorizim nga Kuvendi, ose të pritet vendimi nga Gjykata e Lartë

Avokati Marash Martini në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit që e dënoi deputetin demokrat Ervin Salianji me 1 vit heqje lirie, tha se ai nuk mund të arrestohet pa një autorizim nga Kuvendi, apo pa u shprehur Kuvendi se i ka përfunduar mandati si deputet.

Martini tha se mandati i deputetit mbaron kur ka një vendim të formës së prerë. Dhe në këtë kuadër, ai u shpreh se vendimi i formës së prerë është kur përfundon gjykimi edhe në Gjykatën e Lartë.

 “Vepra penale ka ndodhur në 2017, jemi në vitin 2024 dhe dje ka përfunduar vendimi në Apel.

Kuvendi duhet të japë një siguri juridike që të përfundojë edhe gjykimi në Gjykatën e Lartë. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një rrezikshmëri që të nxitohet me zbatimin e vendimit të Apelit.

Nëni 73/2 i Kushtetutës thuhet se deputetit nuk i hiqet liria në asnjë formë pa një autorizim të Kuvendit.

Tani Kuvendi ose duhet të thotë: i ka mbaruar mandati, ose të japë autorizimin për arrestimin”, tha Martini.

Ai u shpreh se rasti i Salianjit është i vetmi që gjykohet nga një Gjykatë e zakonshme. “Juridiksioni për gjykimin e deputetëve ka qenë i Gjykatës së Lartë deri në 2017, ndërsa më pas i kaloi SPAK-ut”, tha Martini.

Avokati tha se në rastin e Salianjit ende nuk është përcaktuar se kush e krijoi provën që konsiderohet e rreme, pra për të shkuar më pas se a ka lidhje të drejtpërdrejtë ose jo deputeti.

“Nuk mendoj se për këtë vepër penale të ketë dënim me burg, pasi ligji parashikon edhe gjobën. Mendoj se është një vendim jo në përshtatje edhe me vetë pozitën e deputetit”, tha Martini.