VIDEO/ Salianji: Burgosja ime, plan i Ramës për të goditur opozitën me anë të drejtësisë

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji i dënuar me vendim politik nga gjykata me 1 vit burg, për një akuzë që nuk ekziston, gjatë ditës së sotme ka dalë në një konferencë për mediat nga selia blu, ku ka akuzuar Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn për dënimin e tij.

Gjatë deklaratës, Salianji u shpreh se, burgosja e tij është pjesë e planit të Ramës dhe marionetave të tij socialiste në drejtësi për të goditur opozitën.

Deklarata e Ervin Salianjit:

Pse Edi Rama u detyrua dje të komentonte një vendim gjyqësor. Në çdo deklarim të mëparshëm, për çdo proces gjyqësor Edi Rama ka thënë se nuk komenton vendimet e gjykatave.

Çfarë e detyroi Ramën dje që e shkeli standardin, nëse mund të ketë standard ai.

Çfarë Edi Ramën dje që ishte i tërbuar nga një vendim gjyqësor.

Vendimin e mori, kënaqësinë e mori, burgun e dha, ndalimin për kandidim e për të bërë fushatë elektorale në zgjedhjet e 2025, frikën e qetësoi.

Pse ishte Edi Rama dje i tërbuar, çfarë e shqetësonte nga ky vendim.

Ka shumë interpretime për rrjedhjen e ngjarjeve dhe dënimin tim për kallëzim të rremë, por ka vetëm një fakt, një provë, një të vërtetë në këtë histori.

Në 15 maj në vitin 2018, unë kam dalë në këtë foltore bashkë me dy kolegët, Bardhi e Alibeaj dhe kam publikuar një dokument të gjykatave italiane ku vëllai i ministrit i asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i dënuar në Itali me 7 vite 4 muaj burg.

Pas këtij publikimi si Agron Xhafaj, trafikanti ndërkombëtar që jetonte i lirë në Shqipëri, si vëllai i tij ministër i Brendshëm, si kryeministri Edi Rama nuk patën asnjë reagim për 3 ditë me radhë.

U fshehën dhe pavarësisht deklaratave që kemi bërë nga selia e PD, ka pasur zero reagim. Afërmendsh çdo njeri që akuzohet sipas tyre për një gjë të rreme, do të dilte në publik dhe do të thoshte se, personi në atë audio nuk jam unë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, nuk bëri hetim penal për kallëzim që nisi hetimet dhe kallëzimi për trafik ndërkombëtar droge, duke e lënë trafikantin e drogës të largohej nga Shqipëria, e duke krijuar një precedent të pandodhur më parë, e përgënjeshtroi zërin me shkrim.

Nëse dikush akuzohet me zë, audio, përgënjeshtrimi bëhet me zë, del në media e thotë nuk jam unë.

Si Rama si Xhafaj në atë kohë ministër i Brendshëm, që dje e cilësonte si drejtues të reformës në drejtësi, të dy me një qëllim për të mbrojtur banditët e kriminelët që u shërbejnë, për të mbrojtur qeverinë dhe klanet e tyre në narkoshtetin që ishte themeluar ndërkohë, e ashtu si PD dhe unë personalisht e kisha denoncuar me qindra herë, me emër e mbiemër çdo grup kriminal.

Ky është krimi që unë kam bërë dhe do të vazhdoj ta bëj. Kam denoncuar me emër e mbiemër, çdo grup famëkeq kriminal, çdo bandit, çdo ministër të korruptuar, çdo zyrtar që u bie në qafë qytetarëve kudo ku ka qenë problemi.

Të vënë përballë provave të pakundërshtueshme, të një përgjimi të bashkëpunëtorëve të tij dhe presionit të opozitës dhe publikut, Geron Xhafaj nga i pafajshëm dhe ‘burrë model’, sipas Ramës e Xhafajt, u vetëdorëzua në Prokurori dhe u kthye në Itali për të shlyer dënimin.

Këtë Fatmir Xhafaj u betua se nuk do ma falte. Denoncimi im me fakte, që gjykata e quan “kallëzim të rremë” i ndërpreu Xhafajt karrierën politike.

Edi Rama dhe Fatmri Xhafaj kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë, si shpagim kundër meje dhe opozitës, për atë denoncim dhe qindra të tjerë, që provuan se ata nuk janë funksionarë shteti por pupacë narkoshteti.

Pa modesti, mund të them se unë kam një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe sferën publike. Jam denoncues aferash korruptive të cilat e kanë shqetësuar dhe tërbuar Ramën dhe ministrat e tij.

Unë nuk shkoj në burg si kallëzues i rremë, siç pretendon gjykata e kunatave të belindave të PS apo Gencëve përfaqësues të PS në KQZ, por si politikan i ri i opozitës, që ka dëshmuar me prova, shqiptare dhe italiane, përfshirjen e ministrit dhe familjes së tij në narkotrafik.

Janë pafund ata qe me thonë pse i shkon përballe dhe padrejtësisë, pse pranon te burgosesh duke shkuar vete, kur e di mire qe është goditje nen brez. …

Sepse unë e di mire qe kjo është e vetmja mënyre tashme.

Për ti thënë njerëzve, demokrateve, miqve qe njeriu vlen nëse nuk përkulet nëse kundërshtarin e përballon me çdo mjet, me çdo mjet.

Nuk më trembin. Përballë do më kenë sot, pas një viti, e me vite me radhë.

Burgosja ime është pjesë e planit të Ramës dhe marionetave të tij socialiste në drejtësi për të goditur opozitën.

Mund te gjykoni secilin nga ne për shume e shume, por mbetet çështja:

si ka mundësi që krerët e opozitës, duke filluar nga Sali Berisha janë në burg ose në ndjekje penale?!

Si ka mundësi që, të gjithë ata që u prishin skemën e vjedhjes dhe shkatërrimit të vendit shkojnë në burg?!

Ne Himarë, sapo Beleri fitoi me votë këta u kthyen për ta mposhtur me burg.

Sali Berisha u mori 600 mijë vota pa vulë, pa fonde, pa emër në listën e votimit, dhe këta i erdhën me pranga.

Unë çorra fasadën me denoncime dhe prova, me audio dhe video, këta perpeliten te më mposhtin me burg.

E si mund te ketë dorëzim!

Nuk mund te dorëzohemi!

Është dita jone e forcës,

Ne 6 tetor në Tiranë te jemi bashke, te mblidhemi te forte për te shuar e mbytur gëzimin e lig se ata po e shfarosin Partine Demokratike, se po shfarosin e syrgjynosin demokratet, nuk e bëjnë dot.

Shqipëria është e jona e njerëzve qe e duan si vend mundësish, jo vend hajnish.

Kjo nuk është një thirrje o sot o kurrë, është një deklaratë nga ana ime se do të jemi “gjithmonë” dhe do të jemi këtu!