PD, Çela: Bizneset e Pogradecit po kërcënohen me gjobëvënie, rrezikojnë falimentimin për të instaluar sisteme të panevojshme

Kryetari i PD Pogradec, Genti Çela ka deklaruar se bizneset në qytetin liqenor po kërcënohen me metoda gjobëvënëse, për instalimin e disa sistemeve të panevojshme në interes të kompanive të lidhura me pushtetin, një prej tyre i afërm i Fatmir Xhafajt.

Sipas Çelës, përmes një akti normativ të firmosur nga kryeministri Rama në dhjetor të vitit të kaluar, detyrohen të gjitha bizneset pranë zonave breg-liqenore dhe bregdetare, të pajisen me impiante që variojnë nga 10-100 mijë €, ndërsa vetëm mirëmbajtja u kushton 5 mijë € në vit.

Kryedemokrati i Pogradecit, Genti Çela paralajmëroi padi në Prokurori, për cilindo që përpiqet të gjobisë bizneset në këtë qytet.

Deklarata:

Prej muajsh, ndaj bizneseve në Pogradec, ushtrohet një presion i egër dhe barbar, me metoda gjobëvënëse, për shitjen me detyrim të impianteve të trajtimit të Ujërave të Ndotura, çka në Pogradec është tërësisht e panevojshme.

Me anë të Aktit Normativ (nr 8 dt 28.12.2023) firmosur nga kryeministri, detyrohen të gjitha bizneset  pranë zonave bregliqenore dhe bregdetare, të pajisen me impiante që variojnë nga 10-100 mijë € dhe 5 mijë € çdo vit për mirëmbajtjen.

Shumë që rrezikon seriozisht falimentin e mijëra bizneseve në vend.

Vlen të kujtohet fakti se në vitin 2008, ish-kryeministri Sali Berisha, përuroi në Pogradec kolektorin e përpunimit të ujërave të zeza, me kapacitet deri në 300 mijë banorë.

Kapacitet katër herë më i lartë se numri aktual i banorëve të Rrethit të Pogradecit.

Falë atij kolektori, liqeni i Pogradecit është pastruar plotësisht duke u anëtarësuar në UNESCO, organizatë nga e cila sot, jemi të rrezikuar të përjashtohemi për shkak të batërdisë së ndërtimeve shumëkatëshe fare pranë liqenit.

Disa prej të cilave me pronar të afërm të ish-deputetit të Pogradecit Fatmir Xhafaj.

Presioni ndaj bizneseve është qartësisht GJOBËVËNIE! në interes të kompanive pranë pushtetit.

Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurori këdo gjobëvës ndaj aktiviteteve në Pogradec dhe kudo tjetër.

Partia Demokratike do te jete pranë qytetarëve dhe bizneseve të cilët përballen çdo ditë me taksidarët, të cilët shpesh trajtohen në formë gjobe, me paga mujore nga bizneset.