‘Po përgatiten të zbatojnë urdhrin e Ramës’/ Mesazhi i Salianjit: Nuk do ja dalin kurrë të na mbyllin gojën

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i dënuar politikisht me urdhër të Edi Ramës, ka reaguar me një mesazh për mbështetësit e tij.

Salianji shkruan se, ‘ndërsa prokuroria e policia po përgatitet të zbatojë urdhrin e Ramës, nuk do ja dalin kurrë të mbyllin gojën’.

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:

Të dashur miq!

Jam mirënjohës pa fund nga mbështetja juaj, nga solidariteti me praninë, me telefonatat e mesazhet.

Ky është një moment i vështirë për shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit, për demokracinë, për të gjithë ata, mijëra burra e gra, të rinj e të reja me të cilët kemi bërë një udhëtim pa kushte në këto vite të vështira të përballjes me qeverisjen e keqe, arbitrare, të dhunshme, të korruptuar, të lidhur me krimin.

Po duhet t’ju them se asgjë, asgjë nuk është mbyllur. Është një përpjekje e ulët nën brez e tyre, që nuk do na ndalojë, nuk do na shkurajojë në përpjekjen tonë të madhe për një Shqipëri më të mirë.

Teksa sot po bëhen gati të zbatojnë urdhrin e Edi Ramës, vendimin e tij për të më izoluar, dhe të çojnë deri në fund përndjekjen politike, ata kurrë nuk do ja dalin të vendosin si normë se denoncimi i krimit, qenka faj.

Nuk do ja dalin kurrë ta vendosin rend, heshtjen e mbylljen e gojës. Dhe për këtë garancia e madhe jeni ju, demokratët e guximshëm, qytetarêt e lirë që më keni mbështetur në gjithë këto vite.

E vërteta do na bëjë më të mirë. Dhe e vërteta që po sulmohet, po goditet, po burgoset sot është se Edi Rama është produkt i krimit i bandave.

Sepse bëri Ministër të Brendshëm hetuesin e komunizmit dhe lidhjen mes bandave dhe tij, sepse përdori çdo institucion për ta mbrojtur e manipuluar çështjen. Sepse korrupsioni është i shtrirë ngado. Sepse me para të pista e me banditë ai blen vota e ruan pushtetit.

E vërteta është se asnjë qeveri nuk ja del të qëndrojë gjithnjë në këto themele të kalbura.

Të dashur miq!

Do të jemi bashkë çdo ditë dhe më të fortë. Do të jemi bashkë shumë shpejt e do punojmë me zemër e përkushtim për ta hequr këtë të keqe që i ka zëne rrugën vendit. Dhe do ja dalim.

Falenderime