Shënoi brenda 55 sekondash lojë, Bajrami në formacionin më të mirë të raundit të parë të Europa League-s

Në përfundim të raundit të parë të ndeshjeve të Europa League, “Sofascore”, sajti i specializuar në nxjerrjen e statistikave të futbollistëve, e ka përfshirë Bajramin në formacionin më të mirë të këtij raundi.

Në ekipin e javës zgjidhen lojtarët më të vlerësuar në pozicione të caktuara për një raund të caktuar. Ai bazohet në vlerësimet e lojtarëve me një ndeshje për të njëjtin raund brenda një gare të caktuar.

Bajrami rezultoi vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, Glasgow Rangers, 0-2 në fushën e Malmo.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare realizoi pas 55 sekondash lojë, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes vendëse dhe kthimi i topit nga shtylla drejt tij.

Bajrami me të drejtë u zgjodh njeriu i kësaj ndeshjeje me notën më të lartë 8.9.

Kujtojmë që edhe në Evropianin e fundit, në Gjermani, Nedim Bajrami la shenjën e tij me golin më të shpejtë në historinë e kompeticionit, shënuar ndaj Italisë në sekondën e 23-të.