“Szczesny kryen sot testet mjekësore”, e bëjnë të mbaruar nënshkrimin e polakut me Barçën

Wojciech Szczesny (34 vjeç) është gjithnjë e më afër Barcelonës. Portali polak, Meczyki.pl, ka shkruar se këtë të enjte ai do t’u nënshtrohet testeve mjekësore para se të nënshkruajë kontratën e tij për pjesën e mbetur të sezonit për të plotësuar vendin bosh të lënë nga Marc ter Stegen, i cili do të qëndrojë jashtë për rreth tetë muaj.

Prej disa ditësh emri i Szczesny ka qenë në tavolinë për të zëvendësuar gjermanin. E njëjta media që zbuloi se Barça kishte kontaktuar me të.

Szczesny ka qenë në Marbella ku ka jetuar me familjen e tij që kur vendosi të varë dorezat pas Evropianit. Ai vendosi t'i japë fund karrierës në moshën 34-vjeçare për t'iu përkushtuar familjes.

Megjithatë, opsioni për të veshur fanellën e Barcelonës, duke qenë një rast kaq i veçantë dhe gjithashtu me bashkatdhetarin e tij Robert Lewandowski në skuadër, e ka bërë atë të mendojë për rikthimin në fushat e lojës.

 “Unë vetëm shpresoj që Marc të shërohet shpejt, ai është një mik i mirë dhe një portier i madh dhe i uroj atij më të mirën,” tha Szczesny për MD. “Kjo është e vetmja gjë që mund të komentoj,” shtoi ai.

Polaku mund të luajë menjëherë si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve pasi rregullat e UEFA-s mbështesin përfshirjen e një portieri në rast dëmtimi të rëndë.