KAFE SHQETO/ Shqiptarët s'blejnë dot ilaçe/ Toma: Kostot ndjekin pacientët

Shqipëria ka përqindjen më të madhe të njerëzve në rajon që përballen më vështirësi për blerjen e barnave dhe shërbimeve shëndetësore që nuk mbulohen nga skema e Sigurimeve Shëndetësore, sipas të dhënave nga anketa e Barometrit të Ballkanit, që është realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

33% e 1000 personave të pyetur në Shqipëri pohuan se gjatë vitit të fundit, familja e tyre ishte përballuar më së paku një herë me vështirësi për të blerë barnat e referuara që nuk ishin mbuluara nga skema e sigurimeve. Qeveria shqiptare jep nivelin më të ulët të fondeve për rimbursimin e barnave në rang europian, sipas statistikave të OBSH.

Diana Toma, ish-presidente e ‘Urdhrit të Farmacistëve Shqiptarë’, e ftuar mëngjesin e sotëm në ‘Kafe Shqeto’, u shpreh se përgjegjësit e kësaj situate dramatike fshihen si struci.

'Qytetarët janë të acaruar e normalisht janë pjesa, e cila përcjell dhe e ka më të madhe valën goditëse, por në kushte të papërshtatshme për të punuar janë edhe farmacistët.

Në 1 gusht ka hyrë lista e re e barnave, ku për pacientët shqiptarë është përkthyer në mbase jo ndryshim të molekulës së barit me të cilën është trajtuar, por në një numër jo të vogël në ndryshim të firmave prodhuese, ku më parë ka qenë variant i parë e janë marrë falas. Ndërsa tanimë, pasi ka gjetur stabilitet me të, pacienti është i detyruar të paguajë për të marrë të njëjtin bar.

Të kemi një gjë të qartë, koncepti i skemës së rimbursimit nuk është të të rimbursojë me të më shtrenjtin, por të të rimbursojë me barin me të njëjtin efikasitet me produktet e tjera, por që për shtetin kushton më pak.

Në pamje të parë, nëse do e mernim shabllon këtë lloj ideje që përdoret në skemën e rimbursimit, do të thonim mos jemi me të vërtetë te kapriçot e pacientit që është mësuar me atë kutinë e barit dhe e lidh efektin me kutinë. Kjo do të ishte e vërtetë nëse pacienti do të ankohej në lidhje me mospërgjigjen e terapisë së ofruar nga kjo skemë e re, por pacientët pikërisht këtu ankohen'./Klea Sula/ Syri.Net