Xhaferri: Shisnin diploma si në pazarin e gjësë së gjallë, qeveria mbyll Wisdom dhe tenton të amnistojë MAS!

Pasi skandali Wisdom pushtoi Italinë, qeveria  Rama ka vendosur të mbyllë këtë Universitet, që ka përmbytur fqinjin tonë me diploma false nën kujdesin e posaçëm të MAS, që e kishte akredituar në këmbim të një çante Louis Vuitton false.

Vendimi për mbylljen e këtij Universiteti, nuk duhet të jetë fundi i kësaj historie, pasi Prokuroria shqiptare duhet të nisë një hetim të thellë për këtë skandal.

Prokuroria duhet të hetojë Bordin e Akreditimeve dhe kupolën drejtuese të MAS pasi ekziston mundësia që Wisdom të mos jetë rast i veçuar dhe se universitete të tjera  private dhe publike në vend mund të ofrojnë të njëjtin shërbim nën markën “Made in Albania”.

Në sitën e Prokurorisë duhet të jetë puna e kupolës së MAS pasi në një vend ku patronazhistët dinë edhe mendimet e qytetarëve është e pamundur që një Universitet privat të shiste diploma si në tregun e gjësë së gjallë pa paguar haraç tek të pushtetshmit.

Wisdom është shëmbëlltyra më e qartë e degradimit të arsimit në vend nën qeverisjen e Rilindjes, ku korrupsioni dhe nepotizmi nuk asgjësuan vetëm institucionet publike por edhe ato private!