Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës/ Këlliçi: Vjedhjet janë bërë me urdhër dhe porosi të Veliajt

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, gjatë një interviste në ACTV në Michigan, ka treguar të gjithë skemën e vjedhjes në Bashkinë e Tiranë, përgjegjës për të cilën ka bërë kryebashkiakun Erion Veliaj.

Këlliçi deklaroi se Veliaj dhe shtabi i tij elektoral drejtuesit e të cilit janë në burg kanë vjedhur masivisht qytetarët shqiptarë.

Anëtari i Kryesisë tregoi po ashtu se si paratë e vjedhura u përdorën për të blerë vota.

Këlliçi: Sot diskutimi është se kur do të shkojë në burg kreu i Bashkisë së Tiranës për shkak të vjedhjeve, për shkak se u demontua ajo farsë që ndodhi në zgjedhjet e 14 majit.

Dy prej drejtorëve kryesorë që kanë qenë dhe pjesë e shtabit elektoral të Erion Veliajt SPAK u ka rënduar pozitën ligjore duke i shtuar akuzën për pastrim parash.

Tre prej drejtuesve kryesorë të fushatës elektorale në Tiranë vitin e kaluar janë në burg një pjesë tjetër pritet të shkojnë në burg, e kishin kthyer Bashkinë e Tiranës në një kantier privat, e kishin kthyer në një kompani private.

Rasti i vjedhjeve të fondeve publike 100% në Bashkinë e Tiranës është një rast unikal në botë. Atë që ka instaluar Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës askush në historinë e politikës botërore nuk e ka bërë.

Pra të vjedhësh 100% të fondeve publike.

Të përdorësh asetet e institucionit si kompani private, të shtrosh rrugët me mjetet e bashkisë, të tenderosh punët publike, punën ta bëjë bashkia dhe të gjithë paratë të futen në xhep, të shpallen fitues fiktikë apo t’ia japësh kompanisë tënde me drejtorët e tu pronarë të gjitha tenderat dhe ato para të shkojnë për të blerë vota.

Pra ky model korrupsioni dhe vjedhje që kemi parë në Bashkinë e Tiranës tashmë nuk ka shqiptar që nuk e di që aty kemi patur një grup të strukturuar kriminal por jam thellësisht i pakënaqur me punën që po bën SPAK për zbulimin dhe goditjen e faktorëve dhe personazheve që kanë qenë në këtë vjedhje.

Nuk mund të pretendojmë që i gjithë zinxhiri komandues i Bashkisë së Tiranës kanë qenë hajdutë, të gjithë drejtorët kanë qenë hajdut, shtabi elektoral i Veliajt kanë qenë hajdutë, janë hedhur para për të blerë vota dhe shefi i tyre nuk ka asnjë informacion.

Erion Veliaj i cili di sa komente, like dhe share merr në ditë nuk paska ditur që shtabi elektoral kanë vjedhur paratë e Bashkisë Tiranë për të blerë vota. Kjo është bërë me urdhër dhe porosi të kreut të Bashkisë Tiranë. Mua nuk më tremb aspak beteja përballë. Beteja përballë e di që është e egër. Çdo ditë përballemi me një makineri të madhe propagande, lincimi, sharjesh fyerjesh nga media që në vend që të bëjë transparente fondet e Bashkisë Tiranë, mbi paratë e qytetarëve dhe taksave na shesin lajme sa i bukur është inceneratori që nuk ekziston.