Komisioni i Venecias kthen përgjigje në dhjetor/ Zvarritet sërish çështja e mandatit të Olta Xhaçkës

Socialistët nuk e kanë lënë në baltë kolegen e tyre Olta Xhaçkën, e cila e pa veten në vështirësi dy vite më parë, kur u zbulua se qeveria ku ajo bënte pjesë si ministre e jashtme i dha bashkëshortit të saj, Artan Gaçi statusin e investitorit strategjik. Komisioni i Venecias ka njoftuar se do të përgjigjet në dhjetor për çështjen që tërhiqet zvarrë zvarrë, për të shmangur një vendim të gjykatës kushtetuese nëse Xhaçka ishte në konflikt interesi apo jo.

Sipas njoftimit për shtyp të bërë të ditur nga ky institucion, kërkesa është parashtruar më 13 shtator nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali.

Në këtë kërkesë kryeparlamentarja “kërkoi një opinion të Komisionit të Venecias për marrëdhëniet ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”, thuhet në njoftim.

Pas 14 orësh seancë parlamentare, pas mesnate më 13 shtator deputetët u thirrën për të votuar mbi kolegen e tyre Olta Xhaçka.

Kësaj here socialistët nuk votuan kundër, si dy herët e tjera, por pjesa më e madhe e tyre abstenuan, duke rrëzuar kështu për herë të dytë vendimin e Kushtetueses. Pas kësaj, Kuvendi iu drejtua zyrtarisht Komisionit të Venecias për t’i marrë një opinion nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë.